Lajme

Kurti takohet me Escobar: Konfirmohet se Kosova e ka pranuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë


Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Zëvendës ndihmës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është diskutuar për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku pritet të negociohet për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel më 27 shkurt.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”.

Kurti, siç thuhet në njoftimin për media, ka falënderuar diplomatin amerikan për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të ShBA-ve në dialog.

Propozimi Evropian i cili është mëshiruar tashmë në Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë për media, është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”.

Escobar, para se ta takoj shefin e Qeverisë ishte takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Ndryshe nga takimi Konjufca – Escobar, pas takimit Osmani – Escobar, ka pasur edhe adresim për media.

Escobar takimin e nesërm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka cilësuar si një moment i rëndësishëm historie evropiane.

Prandaj, ka shtuar Escobar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin rezultatet pozitive për të zhbllokuar potencialin e Ballkanit Perëndimor.

“Jam shumë optimist për takimin e Ohrit”, tha Escobar, duke iu kujtuar kosovarëve se SHBA-të janë vendi më pro-kosovar në botë.

“Po pres takim produktiv me presidentin e Serbisë dhe me kryeministrin e Kosovës”, deklaroi zëvendës-ndihmës sekretari amerikan Escobar.

“Qëllimi jonë”, shtoi ai “është për të mbështetur çfarëdo rezultati që sjellë paqe në rajon dhe intensifikon mundësinë për Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin që të bëhem anëtarë të plotë të komuniteti evropian”.

Optimiste si Escobari u shpreh edhe presidentja Vjosa Osmani.

Asaj po i pëlqen marrëveshja, sepse ajo, “do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës”.

Pa shumë argument, por më shumë si deklarim politik, Osmani tha edhe se “kjo (marrëveshje) do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të gjitha strukturave ilegale të Serbisë”.

Escobar: Jam shumë optimist për takimin në Ohër, pres rezultat pozitiv – SHBA mbështetësi më i madh i Kosovës në botë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore