Lajme

Escobar: Jam shumë optimist për takimin në Ohër, pres rezultat pozitiv – SHBA mbështetësi më i madh i Kosovës në botë


I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Si një moment i rëndësishëm historie evropiane u përshkrua takimi i nesërm Kurti-Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut, prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin rezultatet pozitive për të zhbllokuar potencialin e Ballkanit Perëndimor.

Optimist i madh për këto rezultate është Gabriel Escobar, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin dhe këtë optimizëm e shprehu edhe në konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit njëorësh.

“Jam shumë optimist për takimin e Ohrit”, tha Escobar, duke iu kujtuar kosovarëve se SHBA-të janë vendi më pro-kosovar në botë.

“Po pres takim produktiv me presidentin e Serbisë dhe me kryeministrin e Kosovës”, deklaroi zëvendës-ndihmës sekretari amerikan Escobar.

“Qëllimi jonë”, shtoi ai “është për të mbështetur çfarëdo rezultati që sjellë paqe në rajon dhe intensifikon mundësinë për Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin që të bëhem anëtarë të plotë të komuniteti evropian”.

Sa për propozimin 11 pikësh, i blinduar tashmë si Propozimi Evropian, Escobar tha se “ofron një mundës të jashtëzakonshme për të krijuar raporte paqësore dhe produktive mes dy vendeve”.

“(SHBA) si mbështeti më i madh i Kosovës në botë, ka për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe për gjithë rajonin. Dhe të zhbllokohen burimet më të mira që ka Ballkani”.

Në fund të prononcimit të shkurtër në konferencë, Escobar tha se “mirëpres rezultat pozitiv” dhe se “jam shumë optimist për mundësitë për zgjidhje paqësore dhe pas të shtunës do të kemi rezultat të mira”.

Gabriel Escobar dhe Vjosa Osmani ne konference per media

Optimiste si Escobari u shpreh edhe presidentja Vjosa Osmani.

Asaj po i pëlqen marrëveshja, sepse ajo, “do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës”.

Pa shumë argument, por më shumë si deklarim politik, Osmani tha edhe se “kjo (marrëveshje”) do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të gjitha strukturave ilegale të Serbisë”.

Duke adresuar shqetësimet e qytetarëve për paktin e arritur me 27 shkurt në Bruksel, presidentja tha se “është me rëndësi të përsërisë që rendi kushtetues i Kosovës, integriteti territorial e sovraniteti i vendit si dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës të ruhen me çdo kusht”.

Gjithashtu, thelbësore në gjithë këtë mes, sipas Osmanit, është që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e implementueshme, e zbatueshme dhe po ashtu të mbështetet nga populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Presidentja sërish ka këmbëngulur në një pikë e cila s’e ka pasur mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar deri tani – dërgimin e marrëveshjes në Kuvend për ta ratifikuar si ujdi ndërkombëtare.

“Marrëveshja pasi që të nënshkruhet së bashku me planin e zbatimit duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike si dhe zbatimi i plotë i saj të bëhet në mënyrë efektive”, deklaroi ajo.

Më 14 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është optimist për takimin e radhës me Serbinë që zhvillohet më 18 mars në Ohër, mirëpo që nuk varet gjithçka nga ai.

“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.

Kurse, më 13 mars, presidenti i Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Në propozimin franko-gjerman për normalizim, të pranuar nga Kosova dhe Serbia, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Por, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Po ashtu, propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore