Kosova

Kurti pranon të takohet me veteranët – “Do t’i dëgjoj të gjitha”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do t’i presë në takim veteranët për të dëgjuar kërkesat e tyre, pas protestave që po vazhdojnë para Kuvendit të Kosovës.

“Unë natyrisht që jam për dialog. Dhe jam për të diskutuar me organizatat e dala nga lufta, me veteranët dhe me këtë rast nuk është se dialogu nuk ka ekzistuar. Do t’i takoj veteranët e luftës dhe ky nuk është takimi i parë, i kam takuar edhe më herët, do t’i takoj sërish”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Ankesa e Kurtit në foltoren e Kuvendit përsëri ka qenë se nuk po pastrohen listat dhe se nuk janë 60 mijë veteranë, por më pak.

“Unë jam i gatshëm që të bashkëpunoj edhe me organizatat e dala nga lufta dhe, jo vetëm, në mënyrë që të vijmë tek ai numri i vërtetë”.


Lufta Ndryshe e UÇK-së

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përsëri janë futur në oborrin e Kuvendit të Kosovës në protestën e tyre për pakënaqësitë me qeverinë që i la jashtë ligjit për pagën minimale.

Protesta filloi në sheshin “Skënderbeu”, por më pas u zhvendos brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës, duke tejkaluar kordonin e Policisë së Kosovës.

Në këtë protestë, të organizuar nga OVL-UÇK, marrin pjesë edhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate. Gazetarja e Albanian Post, Altina Markumallu, është duke përcjellë protestën nga vendi i ngjarjes.

Protesta është paralajmëruar e qetë, megjithatë një numër i madh i forcave të rendit është parë afër institucioneve, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë.

Policia është mobilizuar për të siguruar mbarëvajtje të qetë të protestës së veteranëve, e cila ka nisur para Kuvendit të Kosovës.

Forcat e organeve të rendit janë vendosur edhe para objektit të Qeverisë.

Përpos forcave të rregullta, aty gjenden edhe forcat e njësisë speciale, të cilët janë pajisur me xhama mbrojtëse dhe helmeta.

Protestës së veteranëve, me kërkesën e tyre që të përfshihen në ligjin për pagën minimale dhe kështu pensionet nga 170 euro t’i marrin rreth 250 euro, u është bashkëngjitur edhe Partia Socialdemokrate.

Pas një ballafaqimi të lehtë me policinë, protesta tashmë është e qetë, pasi seanca brenda Kuvendit është ndërprerë.

Një numër i tyre janë ulur në oborrin e Kuvendit dhe po presin.

“Liria ka emër”, dëgjohet duke thënë një nga veteranët pjesëmarrës në këtë protestë.

“Këta djem e kanë bërë këtë shtet”, thotë tjetri.

“Albin Kurti ka ardh në pushtet me kauza të rrejshme”, vazhdojnë akuzat për qeverinë.

“Është e turpshme që askush nga qeveria nuk po del të flas me ne, të na shohin si njerëz”.

Veteranët, të mllefosur me kryeministrin: E pritëm 8 muaj për takim

Faton Klinaku në protestë

Shumë i mllefosur veçanërisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është treguar në fjalimin e tij udhëheqësi i protestave të veteranëve dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

“U morëm vesh se do të takohemi një herë në muaj dhe për takimin e dytë, pritëm 8 muaj për ta takuar. Takim, i cili ka mbetur në gjysmë, ku i është bërë me dije që të mos e prekin këtë ligj sepse do ta kundërshtojmë”, ka deklaruar Klinaku në protestë.

Ai është i bindur se sjellja e qeverisë ndaj tyre është e qëllimshme dhe ka një synim.

“Ai mendon se, duke mos bashkëpunuar me ne si me sindikatat që jemi kategori ligjore, dhe duke mos na mbështetur e përkrahur, mendon se do të na shtrijë për toke ashtu siç po bën me sindikata. Por ne i themi që qeveria shkon e vjen e ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi përballë çdo qeverie e çdo kryeministri. Fatkeqësisht, duhet të protestojmë për të mbrojtur vlerat e luftës dhe shkeljen e të drejtave që po ju bëhen ish-ushtarëve. Deputetët që shkelin ligje e interesa të popullit nuk e kanë vendin këtu”.

Klinaku ka folur edhe për deputetet që e votuan në lexim të parë projektligjin për pagën minimale që lë jashtë pensionet e veteranëve të luftës.

“Kuvendi i Kosovës, kuvendi i turpit të këtij pushteti në vend. Deputetët e pushtetit që së bashku me pakicat gëzojnë privilegje si askund në botë, miratuan në lexim të parë projektligjin për pagën minimale, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës edhe nga paga minimale”.

“Ata vepruan kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.

“Edhe pse ka kohë që kemi paralajmëruar se do ta kundërshtojmë këtë projektligj, kryeneçësia e këtij kryeministri, të cilin është dashur që ta presim një muaj për takimin e parë e për t’ia uruar detyrën”.

Molliqaj: Albin Kurti po i provokon veteranët me qëllim

Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, derisa ka folur në protestën e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se fakti që është vendosur policia para objekteve ku po protestojnë veteranët, tregon një provokim të qeverisë për ta.

“Me vendos policinë është provokim. Me i heq rrethojat pastaj ta vendosesh policinë është provokim. Nuk pashë që u sulmua dikush, qeveria Kurti i ka hequr rrethojat, ju lutem gjeni arsyetimin publik ku thotë që i kemi hequr rrethojat për me qenë e qasshme për qytetarin. Veteranët janë qytetarë të Republikës së Kosovës, qytetarë meritorë të republikës dhe lirisë, pse po ua qet’ Policinë? Pse po i heq rrethojat pra, lej rrethojat”, deklaroi Molliqaj.

Sa për vetë protestën, ai ka thënë se ajo është “reagim ndaj padrejtësisë që u është bërë veteranëve nga kuvendi dhe qeveria. Është e padrejtë që po i maltretojnë, stigmatizojnë e po i luftojnë, por po ashtu protesta po bëhet çdo ditë e më e fuqishme. Besoj në fitoren e veteranëve sepse është e drejtë e tyre”.

Veteranët e luftës po protestojnë pasi qeveria i ka lënë jashtë ligjit për pagën minimale, duke mos e lidhur kështu shifrën e pagës minimale me pensionin e veteranit.

Po të ndodhte ndryshe, veteranët nga 170 sa marrin tani, do të përfitonin rreth 250 euro në muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore