Lajme

Kurti për sulmet në Zveçan e Zubin Potok: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas djegies së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok që ndodhi të shtunën 25 shtatorit.

Kurti ka thënë se djegia e këtij objekti ishte e qëllimshme dhe se qartazi ato po i nxit e mbështet Serbia.

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka deklaruar se para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”.

Djegëja në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Ndërsa, ka shtuar se sulmet e këtilla dhe zjarrvënëse nuk do të tolerohen.

“Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, është shprehur Kurti.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë është djegur të shtunën e 25 shtatorit. dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur “një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të së shtunës.

“Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata”, thuhet në një njoftim që e ka dhënë vetë ministri Sveçla.

Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore