Lajme

Kurti për FAZ: Nuk jam kokëfortë, jam parimor


Albin Kurti

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, arsyeja kryesore se pse Qeveria e Kosovës ka pranuar marrëveshjen për çështjen e targave në Bruksel të mërkurën ishte situata në Veri të vendit.

Megjithatë një ujdi e tillë, sipas Kurtit, nuk ka të bëjë vetëm me situatën në Veri të vendit, por edhe me nevojën për të filluar diskutimin mbi marrëveshjen finale në kuadër të dialogut duke u bazuar në propozimin franko-gjerman.

“Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviç’it”, ka thënë Kurti në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung.

“Këtë e bëmë jo vetëm për të de-përshkallëzuar, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të negociatave për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të përfundojnë përpara pranverës 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i kompromisit”, ka shtuar ai.

Megjithatë, pjesa ku gazetari i mediumit prestigjioz gjerman, Michael Martens, thotë se Kurti, i ka thënë atij se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili propozoi shtyrjen e vendimit për targat për të paktën 48 orë pas dështimit të fazës së parë të bisedimeve në Bruksel të hënë për këtë çështje, ka qenë shumë më shumë i informuar se sa vetë ai për situatën në Veri, nuk është përfshirë në versionin e intervistës së plotë të postuar në uebsajtin e mediumit.

Gjatë paralajmërimit të intervistës, gazetari Michael Martens më 26 nëntor në rrjetin e tij social në Twitter kishte shkruar se:

“Kurti ka thënë që kishte arritur kompromisin për targa pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në Veri të Kosovës ‘mund të përkeqësohej rëndë dhe pakthyeshëm’”.

“Ambasadori amerikan ‘kishte më shumë informata se unë’ mbi situatën në veri, tha z. Kurti, duke përmendur ‘shqetësime mbi sigurinë’ por pa hyrë në detaje”, kishte shkruar Martens.

Gjatë intervistës Kurti është pyetur edhe për qasjen e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Unë nuk jam kokëfortë, jam parimor”, ka deklaruar Kurti në lidhje deklaratën e Borrell se kryeministri i Kosovës u tregua jo konstruktiv.

Më tej Kurti ka bërë të ditur se Kosova do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin dhjetor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore