Lajme

Kurti pas takimit me Palmer dhe Lajçak: Koordinimi SHBA-BE në dialog është i mirëseardhur


“Bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur sepse është i domosdoshëm”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kështu thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, pas takimit që Kurti pati me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

“Kryeministri Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai: në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit”, thuhet në njoftim.

“Ndërsa për dialogun tha se duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme”.

Para Kurtit, dy emisarët kanë takuar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Të hënën, Palmer në takime të ndara ka pritur kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atë të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Mëngjesin e së hënës, zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, ka arritur për një vizitë tre ditore në Kosovë. 

Veç tij, në vizitë dy ditore do të qëndroj edhe emisari evropian, Miroslav Lajçak.

Pas takimeve nuk ka pasur deklarime për media, po dyshja pritet që të marten paradite të dalin në konferencë të përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore