Lajme

Matthew Palmer takohet me Lumir Abdixhikun


Në një komunikatë për media, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku është pritur nga zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, Matthew Palmer.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga z. Lutfi Haziri dhe z. Avdullah Hoti është pritur edhe nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se Abdixhiku ka falënderuar z.Palmer për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën.

“Kryetari Abdixhiku e falënderoi z.Palmer për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se SHBA-ja është partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit tonë”.

Ndërsa sa i përket situatës politike në vend thuhet se z.Palmer është njoftuar për qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës veçanërisht në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

“Po ashtu, kryetari Abdixhiku e njoftoi z.Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë–Serbi”.

Në fund të njoftimit thuhet se z.Palmer ka falënderuar kreun e LDK-së për konstruktivitetin e LDK-së në periudhën tranzitore të formimit të institucioneve të Kosovës.

“Ndërsa zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, z.Palmer e falenderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve”.

Pjesë e diskutimeve mes përfaqësuesve të LDK-së me z.Palmer ka qenë edhe zhvillimi ekonomik dhe nevojës së domosdoshme që SHBA të ketë një rol kyç në dialog me Serbinë.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog”, thuhet në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore