Kosova

Kurti në Slloveni merr pjesë në takimin e Socialistëve Evropianë, prezent edhe Kryeministri i Spanjës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e Socialistëve Evropian në kuadër të Samitit të Sllovenisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në takimin e Socialistëve Evropianë këtë të mërkurë në kuadër të Samitit në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Brdo të Sllovenisë.

Në këtë takim ku prezent janë të gjithë liderët socialist të BE-së, Kurti si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje ishte i pari që u futë në sallë.

Pjesëmarrës në takimin e Partive Socialiste Evropiane përveç Kurtit pjesëmarrës është edhe Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ish-kryeministri i Greqisë, Alexis Çipras, dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell.

Në takim është diskutuar angazhimi strategjik i BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Në kuadër të Samitit në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni, mora pjesë në një takim të Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropian. Fokusi ishte në arritjen e një të ardhmeje paqësore evropiane për Ballkanin Perëndimor. Ne u pajtuam që procesi i zgjerimit të BE -së duhet të jetë i besueshëm dhe i qëndrueshëm”, ka shkruar Kurti në Twitter.

E përditshmja spanjolle ,El Nacional, kishte raportuar të mërkurën se Kryeministri Sanchez do të jetë pjesëmarrës në Samitin në fjalë, por pa prezencën e simboleve shtetërore, pasi që shteti të cilën ai e drejton nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Kryeministri i Spanjes, Pedro Sanchez, në takimin e Socialistëve Evropian në kuadër të Samitit të Sllovenisë

Kryeqeveritari Kurti, nga Slloveni ka deklaruar se Kosovës i është bërë një padrejtësi e madhe nga BE-ja për mos liberalizim të vizave.

Por megjithatë ai shpreson se Unioni do të mbajë fjalën e dhënë për këtë.

“Kanë kaluar më shumë se tre vite që kur Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tonë që vuajtën shumë”, ka deklaruar Kurti.

“Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi si projekti më i rëndësishëm politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore