Lajme

Kurti mos ta përdorë Gjykatën Kushtetuese vetëm si mburojë në raport me Asociacionin, thotë Mustafa


Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se të gjitha plotësim ndryshimet në draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili u pranua nga Kosova javë më parë duhet t’i nënshtrohen filtrimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Marrëveshja e viti 2015 është ajo që siguron që statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e mira e asaj marrëveshje është që një gjë të tillë e ka pranuar Serbia, ka pranuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, kjo është një arritje mjaft e madhe që duhet shfrytëzuar”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës në këtë rast kryeministri Albin Kurti, vlerëson Mustafa, nuk duhet ta shfrytëzojë Gjykatën Kushtetuese vetëm si mburojë.

“Ai duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që statuti të shkon në Gjykatën Kushtetuese që të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën”.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një prononcim për media, ka theksuar se draft-statutin e Asociacionit duhet të shohin të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Duke komentuar takimin e krerëve të partive opozitare me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, Mustafa, thekson se Memli Krasniqi, Lutfi Haziri e Ramush Haradinaj, të martën e kanë parë draft-statutin, ndonëse Krasniqi e Haziri pas takimit mohuan një gjë të tillë.

“Duhet ta shohin partitë opozitare, edhe pse po thonë që nuk e kanë parë, unë besoj që e kanë parë, por duan që t’i ikin përgjegjësisë, të mbulohen. Sepse nuk ka mundësi që në takim Lajçaku të zgjedh se kujt të ia prezantojë e kujt jo draftin. Nuk i besoj as Hazirit e as LDK-së që nuk e kanë pa draftin”, potencoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore