Lajme

Kurti – mërgimtarëve: Edhe kësaj radhe do të duhet të kufizohemi nga manifestimet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë video-mesazhit për diasporën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi ka apeluar tek diaspora që të vijnë të vaksinuar në Kosovë.

“Nëse rastësisht nuk jeni vaksinuar atje, natyrisht se mund ta bëni këtë me rastin e hyrjes në Kosovë. Dhe të gjithë së bashku, të respektojmë në përpikmëri masat anti-COVID”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, i është arsyetuar atyre se shkaku i paraqitjes së varianteve të reja të COVID-19, do të duhen të kufizohen aktivitetet dhe organizimet në Kosovë.

“Edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet dhe grumbullimet”.

Kurti, theksoi se detyrë e tij përveç ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të Kosovës, ka përgjegjësi edhe ndaj diasporës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë video-mesazhit për diasporën.

“Si kryeministër, nuk kam detyrë më parësore sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Dhe e kam detyrë jo vetëm ndaj atyre që janë banorë të Kosovës, por edhe ndaj juve që po na vini nga larg”, deklaroi Kurti.

Po ashtu ai është shprehur i lumtur për ardhjen e bashkatdhetarëve në vendin e tyre.

“Të dashur, është kënaqësi e madhe për mua dhe të gjithë ne që banojmë në Kosovë të ju urojmë mirëseardhje në atdheun tuaj, festat e fundvitit janë një periudhë e veçantë për ne, por sidomos për ju që shumicën e vitit gjendeni fizikisht jashtë, por me mendje dhe zemër gjithmonë në Kosovë”.

Kurti shtoi se, “jemi mirënjohës sa s’thuhet për mbështetjen tuaj, të vazhdueshme ndaj vendit tonë”.

Më 25 dhjetor, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, ka bërë thirrje që mërgimtarët nga diaspora të vijnë në Kosovë të vaksinuar edhe pa COVID-19.

“Dhurata më e mirë që na sjellin diaspora është të vijnë shëndoshë, me qenë shëndoshë këtu dhe të kthehen mbrapa shëndoshë”.

“Këtë e bëjnë vetëm nëse janë të vaksinuar dhe nëse respektohen masat. Vlerësimin a do të ketë mbyllje a nuk do të ketë mbyllje e bëjmë çdo ditë. Varet nga rastet i marrim edhe masat përkatëse”, ka thënë Latifi.

Më 26 dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka lajmëruar se janë identifikuar 9 raste të variantit Omicron të SARS-COV-2 në Kosovë.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se, sot, më 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021”.

“Nga këto mostra, nëntë (9) prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron (B.1.1.529). Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste”.

Prej këtyre rasteve të identifikuara, dy janë raste të ardhura nga ShBA, 2 nga Londra, një nga Franca, dhe katër nga Mitrovica të cilët mohojnë të kenë udhëtuar jashtë vendit ose të kenë pasur kontakte me dikë nga jashtë, njofton IKSHPK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore