Lajme

Ministri Latifi apelon që mërgimtarët të vijnë të vaksinuar e pa COVID-19


Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, ka bërë thirrje që mërgimtarët nga diaspora të vijnë në Kosovë të vaksinuar edhe pa COVID-19.

“Dhurata më e mirë që na sjellin diaspora është të vijnë shëndoshë, me qenë shëndoshë këtu dhe të kthehen mbrapa shëndoshë”.

“Këtë e bëjnë vetëm nëse janë të vaksinuar dhe nëse respektohen masat. Vlerësimin a do të ketë mbyllje a nuk do të ketë mbyllje e bëjmë çdo ditë. Varet nga rastet i marrim edhe masat përkatëse”, ka thënë Latifi për EO.

Ai ka theksuar se në Kosovë deri më tash kanë vdekur tre mijë persona nga COVID-19 andaj është e rëndësishme marrja e masave,.

“Nëse Qeveria ka bërë diçka të mirë kohëve të fundit është ka qenë vaksinimi dhe përgatitja e sistemit shëndetësor për t’u ballafaquar me çfarëdo krize që kemi. Ne tash e kemi një situatë epidemiologjik të jashtëzakonshëm por kjo nuk është shkas që ne të mos vaksinohemi”.

Vaksinimi anti-COVID në sallën 1 tetori

Ministri bëri të ditur se masat antiCOVID, do vazhdojnë të jenë në fuqi për të shmangur virusin COVID-19.

“Na duhet të vaksinohemi dhe duhet t’i ruajmë masat në mënyrë që ta zvogëlojmë shansin e Covidit që të na vdesin pacientët tanë. Gati tre mijë vetë na kanë vdekur dhe nuk duhet të kemi më shumë vdekje”.

Mes tjerash, ai shtoi se nëse qytetarët janë të pakujdesshëm dhe nuk vaksinohen atëherë ekziston rreziku që të mbyllet vendi.

“Nëse secili prej nesh është i pakujdesshëm dhe nuk vaksinohemi natyrisht se jemi në rrezik të mbyllemi. Qëllimi nuk është të mbyllim ekonominë dhe shkollat, por duhet të mësohemi të jetojmë me Covidin sikurse që jemi mësuar të jetojmë edhe me gripin”.

Sipas tij, e vetmja mundësi për mbrojtje kundër COVID-19 është vaksinimi me dozën e tretë përforcuese.

“Unë nuk di kur do të përfundojë pandemia në Kosovë. Ne të vetmen mënyrë që kemi për mbrojtje kundër Covidit është vaksinimi edhe dozën e tretë e përforcuese. Mbi moshat 18 vjeçare është arritur të vaksinohet 60% e popullatës”, pohoi Latifi.

Të premten e 24 dhjetorit, në Kosovë janë raportuar 13 persona të infektuar me COVID-19 dhe asnjë i vdekur.

Numri i të infektuarve ka ardhur nga një mijë e 984 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Ndryshe, nga e enjtja e nëntë dhjetorit në Kosovë ka filluar dhënia e dozës së tretë e vaksinës anti-COVD.

Ky vendim ka ardhur pas takimit të ministrisë së Shëndetësisë së bashku me Komitetin për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjec, sipas interevaleve kohore për dozat e lartë cekura.

Ndërsa, “qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS, – emaili dhe njoftimeve publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore