Lajme

Kurti me guvernatorën e lowa-s flasin për bashkëpunim në fusha të ndryshme


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Guvernatorja e Iowa-s, Kim Rejnolds.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pritur në takim nga Guvernatorja e Iowa-s, Kim Rejnolds.

Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit.

“Partneriteti i fortë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, dhe potenciali për rritje të bashkëpunimit, ishin në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti me Guvernatoren e Iowas, znj. Kim Rejnolds”, thuhet në njoftimin e zyrës.

Ndërsa, temë diskutimi ishte edhe krijimi i mundësive të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“U bisedua për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”.

“U tha se shembulli i bashkëpunimit ushtarak duhet të vazhdohet në fushën civile, duke fuqizuar partneritetin edhe në ekonomi, bujqësi e arsim. U veçua fillimi i shërbimeve konsullore në këtë shtet”.

Gjithashtu, kreu i ekzekutivit ka shprehur mirënjohjen për marrëdhënien speciale në mes të Kosovës dhe lowa-s, dhe kontributin për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë dhe të orientuar drejt vlerave perëndimore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Guvernatorja e Iowa-s, Kim Rejnolds.

Ndër të tjera, është vlerësuar edhe partneriteti në mes të Gardës Kombëtare të lowa-s Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kryeministri theksoi se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe se do te vazhdojë të jetë kontribuese për sigurinë në rajon dhe botë, në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike, përkrah aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Ioëa, Artan Duraku.

Më 6 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur takimet me të zbritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vizitën e tij të parë zyrtare atje.

Në ditën e parë të qëndrimit në SHBA, Kurti është takuar me Alice Albright, drejtoreshën e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, takim për të cilin ka shkruar në Twitter se ishte special.

“Një nder i veçantë takimi me drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, zonjën Alice Albright dhe fillimin e Negociatave për Kompaktin e Kosovës”, shkruan Kurti.

Që nga ky takim me MCC-në dhe përfaqesuesit e “LinkedIn”, kryeministri Kurti nuk ka treguar nëse kishte takime të tjera, apo jo.

Takimet e kryeministrit kosovar nuk dihen as tani, meqë nuk është bërë publike ndonjë agjendë për këtë vizitë.

Gjithsesi, referuar asaj që kishte thënë Kurti në konferencë për media para se të niste vizitën në Amerikë, se takimet do jenë të shumta dhe vizita do jetë e gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore