Kosova

Maqedonci para homologëve evropian: Përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjë vazhdojnë të jenë të lirë dhe të pandëshkuar


Foto nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë vizitës së tij zyrtare në Hungari, ku po merr pjesë në ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore, ka ripërsëritur para homologëve evropianë se përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, vazhdojnë të jenë të lirë.

Tutje, Maqedonci ka potencuar se të njëjtit akoma s’janë ndëshkuar.

“Gjithashtu ritheksova faktin që përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë të Zveçanit vazhdojnë të jenë të lirë dhe të pandëshkuar për aktin e kryer”, ka shkruar Maqedonci në rrjetin social ‘Facebook’.

Ndërkaq, është shprehur këmbëngulës në orientimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO.

“Kërkova përkrahjen e vendeve pjesëmarrëse në këtë format për realizimin e këtyre aspiratave të vendit tonë, për të mundësuar kontribut tonë më të madh për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”.

Një pjesë të fjalimit të tij ai e ka adresuar edhe për mbështetjen që ka dhënë Kosova ndaj Ukrainës, bazuar në kapacitetet që ka.

“Në adresimin tim ritheksova gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informova të pranishmit për kontributin e vendit në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tone”.

Më 25 prill, Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e kësaj gjykate Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë , ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, tha Gashi.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore