Lajme

Shpresë për paqe? – Azerbajxhani dhe Armenia afër një akordi për gazin


Armenia mund të bëhet marrës i gazit nga Azerbajxhani.

Një zhvillim ky i raportuar së fundmi nga mediat azere, duke iu referuar asaj çfarë ka thënë Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Sipas tij, Baku ka gjithashtu informacione se Armenia dëshiron të bashkohet me kabllon energjetike të Detit të Zi. Por, Yerevani nuk mund ta bëjë këtë, për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura me Azerbajxhanin.

Është megjithatë një rrugë jo e pamundur kjo drejt normalizimit, duke marrë parasysh faktin se si Armenia, ashtu edhe Azerbajxhani, do të kenë përfitime të ndërsjella, nëse një akord i tillë arrihet.

Ndër pikat pozitive, do të ishte edhe shmangia e mëtejshme e një ndikimi rus në rajon, ku duhet kujtuar se pala armene ka qenë krejtësisht e pakënaqur në muajt e fundit me mbështetjen që Moska i ka dhënë në konfliktin me Azerbajxhanin.

Për shkak edhe të konfliktit në Ukrainë, vëmendja e Kremlinit drejt Yerevan-it ka qenë e vakët dhe për shkak të kësaj, edhe Baku-ja ka përfituar duke kryer një inkursion në Nagorno-Karabakh dhe brenda disa orëve duke e marrë kontrollin e plotë të enklavës, pasuar me një eksod masiv të armenëve të vendosur aty, drejt shtetit amë.

Po ashtu, edhe misioni menaxhues i paqes nga Rusia, me paqeruajtësit të vendosur në rajon, nuk pati shumë sukses, nëse shihet rrjedha e konfliktit në Nagorno-Karabakh muajt e fundit.

Incidentet e mëtejshme nuk kanë munguar, me thirrje ndërkombëtare për paqe dhe armëpushime, të cilat palët herë i kanë zbatuar, e herë jo.

Midis tensioneve të larta megjithatë dhe retorikës shpesh herë agresive, ky sinjal se Armenia mund t’i bashkohet rrjetit energjetik të Detit të Zi i jep një shpresë një zgjidhjeje përfundimtare.

Ndoshta, jo për një paqe totale, por një jetë të qetë pa incidente madhore…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore