Lajme

Kurti kujton demonstratat e ’89-së: Shqiptarët po kërkonin të drejtat e tyre politike


Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar demonstratat e marsit të vitit 1989, duke thënë se shqiptarët po kërkonin të drejtat e tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se më 27 dhe 28 mars të vitit 1989, policia e Serbisë i shtypi demonstratat paqësore të shqiptarëve gjithandej Kosovës, “ku vetëm gjatë atyre dy ditëve u vranë 25 demonstrues dhe u plagosën 603 të tjerë”.

“Ata po kërkonin të drejtat e tyre politike, duke e kundërshtuar shtypjen politike dhe instalimin e regjimit diskriminues dhe kriminal të Serbisë, që vetëm katër ditë më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës. Në ditët që i pasuan këto demonstrata, 1200 demonstrues shqiptarë u burgosën pas gjyqesh politike”, shkroi Kurti.

“Mes kapitujve të historisë së shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia pushtuese dhe të rezistencës e kryengritjes së popullit të Kosovës për liri, sot i kujtojmë demonstratat popullore të vitit 1989, në 35-vjetorin e tyre”, shtoi.

Në fund, kryeministri përkujtojë të gjithë të rënët në demonstratat e vitit ’89.

“Lavdi të rënëve në demonstratat e vitit 1989 mes të rënëve në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për liri!”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore