Kosova

Kurti kërkon që Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Kosovës që të pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti, gjatë një interviste për Associated Press, ka deklaruar se “në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit”.

Ai tutje u shpreh se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që  “të përballet me të kaluarën”.

“Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë”.

Kreu i ekzekutivit shtoi se “nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”.

Sipas tij, deri më tani negociatat janë “ideologji për zgjidhjen e problemit, çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje edhe më e pazbatueshme, dhe publiku humbi interesin”.

“Është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara gjë që na bën ne që të shpresojmë lidhur me prospektet për bisedimet e ardhshme dhe për një marrëveshje”.

Javëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropiane kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri të quajtur propozim evropian që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Cilat janë pasojat?

Më 30 janar Albanain Post ka publikuar një dokument ku tregohen pasojat për Kosovën nëse Kurti refuzon ta themelojë Asociacionin.

Në këtë dokument thuhet se implementimi i të gjitha marrëveshjeve paraprake është një obligim ligjor i Kosovës, pavarësisht se kush e ka pushtetin.

Por, nëse Qeveria e Kosovës nuk pranon ta themelojë Asociacionin, atëherë mund të bart edhe pasoja.

“Qeveria e Kosovës është e lirë që të iniciojë në Parlamentin e Kosovës procesin e tërheqjes së Kosovës nga marrëveshja e parë për normalizim të raporteve dhe më pas të bart pasojat e zhbërjes së të gjitha të arriturave të mëhershme (lëvizjen e lirë, Kodin telefonik të Kosovës +383, integrimin e pjesës veriore, kontrollin e dy pikave kufitare me Serbinë e të tjera”.

Gjithashtu kërkohet që përfaqësuesit politik të Kosovës, shoqëria civile dhe individë prominentë e organizata duhet të jenë pjesë e diskutimeve të ardhshme substanciale gjithëpërfshirëse të fokusuara në gjetjen e një konsensusi për modelin e pranueshëm për Asociacionin të paraparë me Marrëveshjen e vitit 2013.

Marrëveshja për formimin e këtij Asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.

Artikulimi i fundi i kësaj kërkese u shpreh përmes një letre të hapur të dy top-diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Chollet dhe Escobar me letër të hapur: Ka ardhur koha për Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore