Lajme

Kurti i përgjigjet protestës: S’kam vendosur unë për suspendimin e gjyqtares


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas protestës së serbëve në Veri të Mitrovicës ka thënë se ai nuk pezullon gjyqtarë e as prokurorë, duke shtuar se një gjë e tillë ndoshta mund të ndodh në Serbi, por se në Kosovë jo.

“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët”.

Ky nuk është rasti në Kosovë ose me gjyqtaren Stevanoviç. Ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, plotësisht në linjë me BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Kurti në një postim në rrjetin social Twitter.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të enjten e 24 marsit ka vendosur ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç, pasi që kishte marrë pjesë në mbledhjen Sigurisë Kombëtare të Serbisë, të thirrur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Lista Serbe (LS) ka mbajtur protestë për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës duke shtuar arsyet si arsye edhe pezullimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç.

Nga Lista Serbe (LS) dhe njëherit Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç, gjatë protestës së mbajtur në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se nuk do të punojë asnjëri prej tyre (askush nga LS) në institucionet e Kosovës, derisa të kthehet në punë kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç.

Ai ka shtuar se “Sipas informacioneve që morëm sot në mëngjes, unë dhe kryetarët e komunave, gjyqtarët e nacionalitetit serb dhe punëtorët e gjykatës, organeve të gjyqësisë sot nuk kanë shkuar në punë. Nga sot në mbështetje të Kryetares së shkarkuar të Gjykatës edhe ata janë suspenduar dhe kështu do të jetë derisa Ljiljana Stevanoviç nuk kthehet në punë”, ka thënë Rakiç në protestë.

“Askush nuk frikësohet” ka thënë Rakiç duke i dërguar porosi kryeministrit Kurti dhe Policisë së Kosovës “që ndodhen në Veri”.

“Do të mbesim këtu do të luftojmë për të drejtat tona. Nuk duam asgjë më shumë se që kanë shqiptarët. Nuk duam t’i marrim asgjë dikujt, vetëm duam atë që na takon”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore