Kosova

Kurti i fton qytetarët të aplikojnë në konkurset publike: Do të ndjekim të njëjtin standard për të gjithë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Përmes një videomesazhi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u kanë bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë në konkurset për borde publike.

Kurti tha se do të ndjekin po të njëjtin standard për të gjithë, në çdo konkurs që është i hapur apo do të hapet në të ardhmen.

“Ndërmarrjet publike duhet të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset, si dhe të kontribuojnë në buxhetin e Republikës. Prandaj duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal, e të cilët kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes”, ka thënë Kurti.

“Jo zhvillimin e interesave të ngushta që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin. Që kjo të arrihet, ne kemi nevojë për vëmendjen dhe interesimin e secilit profesionist të fushës të cilët prej kohësh kanë pasur dëshirë të kyçen”.

Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se gjatë javëve dhe muajve në vijim, Qeveria do të udhëheq procese të rekrutimit për borde të rregullta të drejta për shumicën e ndërmarrjeve publike qendrore.

“Ndërmarrjeve tona publike u duhen gra e burra profesionistë, me integritet e vullnet për t’i shtyrë ato drejt arritjes së potencialit të tyre të plotë”, shtoi Rizvanolli.

Ndryshe emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Sipas ligjit, procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Ndërmarrjet publike në Kosovë kryejnë shërbime të rëndësishme për qytetarë si: furnizimi me ujë, mbledhja e mbeturinave, prodhimi i energjisë elektrike, transporti etj

Pozitat më të preferuara për punësim në Kosovë vazhdojnë të mbesin bordet e ndërmarrjeve publike, për shkak të vlerës së lartë të pagave dhe përfitimeve të tjera.

Në çdo konkurs, numri i aplikuesve është shumë i madh, por në shumicën e rasteve, sipas Lëvizjes Fol, nuk është marrë për bazë kriteri profesional, por përkatësia partiake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore