Lajme

Kurti flet në telefon me Blikenin: Vuçiçi s’kishte gatishmëri për takim trepalësh në Bruksel


Mosgatishmëria për takim trepalësh në Bruksel nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nevoja për zbatim të plotë e pa kushte e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe gjendja në katër komunat veriore, kanë qenë temat kryesore për të cilat ka biseduar kryeministri Kosovës, Albin Kurti, me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në telefon.

“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç ‘rast kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë.

Kreu i qeverisë së Kosovës e ka njoftuar Blinken-in edhe për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës dhe sulmet ndaj policëve, gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it nga ekstremist të dhunshëm.

“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq, por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”.

Sipas njoftimit, të dy u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Kryeministri Kurti e falënderoi Sekretarin Blinken për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të ShBA-ve për Republikën e Kosovës, si dhe e informoi atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit”.

Ndryshe, më 30 maj, Kurti në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian”, i ishte përgjigjur deklaratave të Bliken-it, i cili pas tensioneve të krijuara në Veri tha se “ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”.

Kurti pati shprehur pakënaqësitë e tij për këtë deklaratë të Blinken-it, madje e ka konsideruar si “zbutje” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Unë mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, pati theksuar Kurti.

Kurti e kritikon rëndë Blinken, e quan “naiv” dhe të “gabuar”

Vuçiç flet në telefon me Blinken-in

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë përmes telefonit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Vuçiç shkroi në llogarinë e tij në Instagram se Blinken “insistoi në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe mbështeti plotësisht planin evropian për de-eskalim”.

Presidenti serb shkruan t’i ketë thënë Blinken-it se “Serbia sillet seriozisht dhe me përgjegjësi, por forcat speciale të policisë së Kosovës çdo ditë arrestojnë pjesëtarët e popullit serb në mënyrë arbitrare”.

“Kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar. Po ashtu, theksova se dorëheqja dhe tërheqja e menjëhershme e kryetarëve të rrejshëm nga ndërtesat në katër komuna në veri të Kosovës si dhe e forcave speciale të Policisë së Kosovës, janë me rëndësi kyçe për qetësimin e tensioneve”, shkruan Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore