Lajme

Vuçiç flet në telefon me Blinken: Insistoi në qetësimin e situatës në Kosovë, i tregova se Serbia sillet seriozisht dhe me përgjegjësi


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë përmes telefonit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Vuçiç shkroi në llogarinë e tij në Instagram se Blinken “insistoi në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe mbështeti plotësisht planin evropian për de-eskalim”.

Presidenti serb shkruan t’i ketë thënë Blinken-it se “Serbia sillet seriozisht dhe me përgjegjësi, por forcat speciale të policisë së Kosovës çdo ditë arrestojnë pjesëtarët e popullit serb në mënyrë arbitrare”.

“Kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar. Po ashtu, theksova se dorëheqja dhe tërheqja e menjëhershme e kryetarëve të rrejshëm nga ndërtesat në katër komuna në veri të Kosovës si dhe e forcave speciale të Policisë së Kosovës, janë me rëndësi kyçe për qetësimin e tensioneve”, shkruan Vuçiç.

Ai shkroi edhe se Blinken i ka uruar që “Beogradi ka fituar garën për organizimin e EXPO 2027, duke mposhtur ndër të tjera edhe Minesotën”.

EXPO 2027 është një event i madh i ekspozita të specializuara, për mbajtjen e të cilit garojnë shumë kryeqendra botërore.

Për këtë të vitit 2027 ishin në garë Beogradi, Minesota në Amerikë, Malga në Spanjë dhe Phuke në Tajlandë dhe qyteti i San Carlos de Bariloche në Argjentinë.

Tema që ia fitoj Beogradit garën ishte “Luaj për Njerëzimin – Sport dhe Muzikë për të gjithë”.

Telefonata mes Vuçiç e Blinken ndodhi pas lëshimit të tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga Serbia, por në njoftimin e Vuçiç nuk u bë e ditur nëse është folur edhe për këtë temë.

Paraprakisht, SHBA-të, bashkë dhe me Bashkimin Evropian dhe shtete të tjera perëndimore, kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore