Kosova

Kurti fajëson sistemin gjyqësor për arratisjen e Enver Sekiraqës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka folur për arratisjen e Enver Sekiraqës – i dënuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, duke thënë se situata bëhet akoma më e rënduar kur ngjarje të tilla s’ngjajnë më si rastësi.

“Më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit, fajësoi sistemin gjyqësor për arratisjen e Sekiraqës.

“Të gjitha ata e kanë njohur Triumfin e përshkruan një zëri, si profesionist, të shkathët në detyrë, e shumë njerëzor me qytetarë. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor – që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia”.

Të shtunën, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se Enver Sekiraqa tash e dy ditë nuk është gjetur në shtëpinë e tij.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës – i dënuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se kishin marrë urdhër nga Gjykata e Apelit për të sjellë Sekiraqën në paraburgim, pasi që të njëjtit i ishte ndryshuar masa e sigurisë.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj e ka dënuar me 25 vjet burgim Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sekiraqës i ishte ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh.

Megjithatë, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Polici Triumf Riza, u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç thonë nga Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Swiss Casino” në dhjetor 2006.

Në incidentin në “Swiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore