Lajme

Kurti e pranoi Asociacionin, tash ‘topi’ te Vuçiç – A po e thotë këtë gjë Chollet?


Derek Chollet

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të enjten ka zhvilluar dy “telefonata të rëndësishme” me aktorët kyç në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, mbi rezultatet e takimit në Ohër.

Kurti dhe Vuçiç’i dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian – Miroslav Lajçak’ut dhe Josep Borrell’it – me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, përveçse mbeten ende paqartësitë mbi formën që do të marrin disa dispozita, të dy liderët kanë vazhduar me interpretimet e tyre politike se për çfarë realisht janë dakorduar më 18 mars, duke i kushtuar më shumë rëndësi procesit të përcaktimit se “kush merr diçka, çfarë merr, kur dhe si e merr” e jo zbatimit.

Chollet, i cili njihet për mesazhet e tij në rrjetin social Twitter, në njoftimin e tij se të enjten ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti, tha se pas marrëveshjes “Kosova tash është më afër se kurrë me të ardhmen evropiane”, pa përmendur fillimin e menjëhershëm të zbatimit të asaj çfarë ishte rënë dakord.

“Sot e përgëzova kryeministrin Albin Kurti për marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kosova tani më afër se kurrë me të ardhmen e saj në BE”, shkroi Chollet.

Ndërkaq, në cicërimën ku lajmëronte se një bisedë të ngjashme kishte zhvilluar edhe me presidentin serb, por përveç që e përgëzoi për konstruktivitetin e shfaqur në Ohër, ai shkroi se tash është koha për që të ndërmerren “hapa të menjëhershëm” drejt zbatimit të marrëveshjes në terren.

“E rëndësishme është që të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të implementuar dhe për ta përcaktuar rrugën drejt normalizimit dhe integrimeve evropiane. Gjithashtu, e falënderova Serbinë për riangazhimin e saj me SHBA-në në stërvitje të mbrojtjes”, shkroi Chollet.

Analisti politik dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, nëpërmjet një cicërime në Twitter, ka bërë krahasimin e dy postimeve të Chollet, duke thënë se kjo përmbajtje vjen si rezultat i pranimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga ana e Kurtit, kurse Vuçiç vazhdon të refuzojë marrëveshjen, sipas deklaratave të tij.

“Tani që Kosova është e përkushtuar ndaj [themelimit] të Asociacionit, ‘hapat e menjëhershëm drejt implementimit’ theksohen vetëm në cicërimat drejtuar Vuçiç-it”, shkroi Maliqi në llogarinë e tij pasditën e së enjtes.

Afati i përcaktuar kohor, thuhej se lidhej me nenin 7 të Marrëveshjes – krijimin e komunave me shumicë serbe – ku Kosova duhet t’i nisë “menjëherë” negociatat, çfarëdo që nënkuptonte kjo. Se kur duhet të ndodhë njohja reciproke e pasaportave apo shkëmbimi i misioneve, nuk ka ende asgjë konkrete.

Ndryshe, kryeministri Kurti e ka pranuar mbrëmë në një emision në Radio Televizionin e Kosovës dhe të enjten gjatë ditës në senacë parlamentare, se po, megjithatë Asocacioni i Komunave me shumicë serbe është brenda Planit Evropian dhe rrjedhimisht, është pajtuar që ta zbatojë.

Megjithatë, ndryshe nga kreu i ekzekutivit kosovar, presidenti serb është shprehur tejet shpërfillës sa i përket Marrëveshjes për rrugën e normalizmit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e plotë të saj, siç po e kerkojnë komuniteti ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e BE-së ia bashkëngjitën aneksin Propozimit Evropian të dakorduar më herët, më 27 shkurt, dhe shpallën se tashmë kanë një dokument të dakorduar në tërësi. Ky dokument i dakorduar në tërësi, të hënën iu paraqit Këshillit Evropian dhe ata e mirëpritën.

BE-ja tash këtë e konsideron si dokument, të cilin e bën pjesë ligjore të marrëdhënieve kontraktuale me Serbinë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht të marrëdhënieve të veta kontraktuale me Kosovën në aranzhimin special të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore