Lajme

Kurti dhe komisioneri Varhelyi diskutojnë për afganët e strehuar në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, zhvilluan një bisedë telefonike, në të cilën u diskutua për angazhimin e Kosovës në strehimin e qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan.

“Kurti e njoftoi komisionerin Varhelyi për veprimet e autoriteteve përkatëse në ofrimin e kujdesit të plotë ndaj 683 qytetarëve afganë, që aktualisht janë në Kosovë nga 2.000 sa mund të jetë maksimumi përnjëherë”, thuhet në njoftimin për media.

Kryeministri Kurti, shtoi se gjatë kësaj bisede se gatishmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ofruar ndihmën e saj në këtë çështje humanitare, ka edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët jemi në kontakt e në koordinim që nga mesi i muajit korrik.

“Deri të premten (3 shtator) në Kosovë kanë arritur afërsisht 467 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht”, këtë e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një takim koordinues me organizatat ndërkombëtarë të Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar rreth gjendjes dhe nevojave aktuale lidhur me strehimin e përkohshëm të qytetarëve afgan në Kosovë.

Sveçla, tha se Kosova ka nevojë për mbështetje të organizatave ndërkombëtare në këtë periudhë.

“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së SHBA-së dhe NATO-s, për të strehuar përkohësisht qytetarët afgan. Ne jemi zotuar për të ofruar kushte dinjitoze të akomodimit, për të ju bërë sa më të lehtë qëndrimin e tyre në Kosovë. Megjithatë, nevoja për mbështetje të organizatave tuaja është po ashtu shumë e rëndësishme për ne”.

Më 29 gusht, në Kosovë ka arritur grupi i parë i afganëve të cilët kanë qenë 111 persona, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ata janë strehuar në ish kampin e Bechtel Enka-s në Ferizaj.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore