Lajme

467 afganë deri tani të strehuar në Kosovë


Takimi i organizatave ndërkombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme

“Deri të premten (3 shtator) në Kosovë kanë arritur afërsisht 467 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht”, këtë e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një takim koordinues me organizatat ndërkombëtarë të Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar rreth gjendjes dhe nevojave aktuale lidhur me strehimin e përkohshëm të qytetarëve afgan në Kosovë.

Sveçla, tha se Kosova ka nevojë për mbështetje të organizatave ndërkombëtare në këtë periudhë.

“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së SHBA-së dhe NATO-s, për të strehuar përkohësisht qytetarët afgan. Ne jemi zotuar për të ofruar kushte dinjitoze të akomodimit, për të ju bërë sa më të lehtë qëndrimin e tyre në Kosovë. Megjithatë, nevoja për mbështetje të organizatave tuaja është po ashtu shumë e rëndësishme për ne”.

Takimi i organizatave ndërkombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme

Sveçla, deklaroi se në këtë proces është shumë e nevojshme përkrahja edhe e organizatave ndërkombëtare që janë të vendosura në Kosovë dhe me këtë qëllim i ka ftuar për të parë mundësitë e tyre që të ndihmojnë në këtë proces të rëndësishëm, si dhe për të vendosur kanalet e drejta të komunikimit dhe koordinimit.

Po ashtu, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë, theksuan gatishmërinë e tyre që në bazë të nevojave të identifikuara dhe mundësive, të jenë në dispozicion të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në këtë proces.

Në takim u diskuan edhe modalitet me të cilat do të operojnë institucionet e Kosovës, rreth strehimit të qytetarëve afgan, gjithnjë duke ju garantuar të gjitha të drejtat e tyre sipas ligjit, përfshi jetën e re sociale, të cilin do ta kenë gjatë qëndrimit në Kosovë.

Më 29 gusht, në Kosovë ka arritur grupi i parë i afganëve të cilët kanë qenë 111 persona, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ata janë strehuar në ish kampin e Bechtel Enka-s në Ferizaj.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore