Kosova

Kurti: Bisedova me Lulzimin, as ai as unë nuk lëshojmë pe


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka treguar se ka biseduar në telefon me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin, i cili po qëndron brenda objektit të komunës qe disa ditë.

“E thirra kryetarin Lulzim Hetemin për të biseduar dhe isha i brengosur që mos është mërzitur në zyrë, ai ishte i brengosur mos isha i mërzitur unë. Unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, kryetari i shqetësuar mos po lëshoj pe unë, biseda ishte shumë e këndshme”, tha Kurti.

“Askujt nga ne nuk ia ka marr mendja që Lulzim Hetemi do bëhet kryetar i Leposaviqit. Mund të kemi menduar për të tjerët, por jo për Lulzim Hetemin, sepse vetëm me datën 21 prill u bë e qartë se atje nuk do ta kemi fituesin e sigurt Aleksandër Jabllanoviç-in”.

Po sipas tij, dy ditë para zgjedhjeve Jabllanoviç u largua nga gara dhe iu bashkëngjittë qëndrimit të Listës Serbe për bojkotim të zgjedhjeve.

Kreu i qeverisë ka potencuar se rruga “për de-eskalim” nënkupton largimin e bandave kriminale para objekteve të komunës.

“Me largimin dhe arrestimin e tyre prania e policisë në objekte të komunës do zvogëlohej”.

Megjithatë, ai ka insistuar që kryetarët do vazhdojnë të punojnë në objektet komunale, meqë sipas Kurtit, “ndërtesat e te komunës duhet të jetë për kryetarët e komunave”.

“Për shkak të grupeve kriminale ne jemi të detyruar që ta kemi aty Njësinë Speciale të Policisë e cila e mbron kryetarin e Leposaviqit. Nuk është e drejt që të insistohet që kryetari në komunat veriore të jetë veç serb dhe se vetëm serbët mund të hyjnë në ato ndërtesa. Ndërtesat janë të Republikës, nuk mund të jenë të ndara sipas përkatësisë etnike”, shtoi Kurti.

Ai ka konfirmuar që do ketë zgjedhje të reja në Veri, derisa i ka ftuar serbët për të mos i bojkotuar.

“Zgjedhe të hershme në katër komunat në veri për të siguruar përfaqësim, por deri atëherë kryetarët e ligjshëm do të ushtrojnë funksionin e tyre pa pengim”.

“Ne e kuptojmë që kryetarët e rinj kanë marr pak vota, por të tjetër nuk kanë marrë fare vota. Komuniteti serb duhet të dalin në zgjedhje dhe se zgjedhjet duhet të jenë të lira e demokratike, me fushatë, pa frikë, pa kërcënime dhe pa banda kriminale”, sqaroi Kurti.

Kreu i LV-së ka theksuar se Kosova i qëndron pas ShBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, “politikës anti-Putin, dhe vlerave demokratike”.

“Në këtë drejtim, qeveria jonë është aleat i ShBA dhe BE”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore