Shqipëria

Kurorat e gurta të Markelit mes gjetjes artistike dhe simbolikës së fortë


I rikthehet shpesh ciklit të pikturave të emëruar “Kurorë Guri”.

Dëshira për të mos e ndërprerë ndjehet jo vetëm te fjalët e tij, por edhe te risjellja dhe rikompozimi i punimeve të reja të këtij cikli krijimtarie unike.

Për vet piktorin, Markel Capo, talenti dhe lidhja me pikturën lind bashkë me njeriun. E pastaj, me kalimin e viteve, “mund të kultivohet ose mund të lihet thjesht si pasion”.

Dhe ai ka zgjedhur ta ndjekë talenti e tij këmba-këmbës. Qysh në vegjëli.

“Unë dhe nën-tavolina e dimë mirë këtë gjë, meqë nuk më lejohej të shkarravisja muret, vend i padukshëm me sy të lirë ishte dërrasa poshtë tavolinës…aty nisi gjithçka”, rrëfen ai për Albanian Post.

Mbase kjo shpjegon edhe lidhjen e tij të veçantë me pikturën, të cilën e ravijëzon si “një lidhje shumë të fortë emocionale”, pasi ka ditur ta ruajë dhe ta zhvillojë.

Një lidhje sa e thjeshtë aq edhe komplekse, siç e përcakton edhe vet Markeli, “një përcaktuese stimulimi emocional në lidhjen e krijuar midis pikturës dhe audiencës dhe i pari në këtë vëzhgim jam unë”.

Në punimet e tij bie në sy shpërfaqja e një kurorëzimi të gurtë, të mbushur me histori, por edhe me detaje kuptimplota.

Një cikël pikturash që Markeli e ka finalizuar si fazë të parë në ekspozitën personale të II-të “Kurorë Guri”.

Në të shumtat prej tyre paraqiten portrete femërore të prezantuara në një formë që lehtësisht mund të quhet gjetje artistike. Ato janë të kurorëzuara nga kalatë e Shqipërisë me gjithë madhështinë që i karakterizon.

“Janë themelet e forta të kalave shqiptare, qëndresa e tyre ndër shekuj, legjendat dhe padyshim forca e grave që kishin rol të rëndësishëm në çdo betejë”, dallon ai.

Ndaj dhe ekspozitën ia ka dedikuar figurës së gruas dhe forcës së saj “të gurtë e të pathyeshme”.

Ndjesia që të përçojnë kalatë teksa i viziton ka shumë peshë, peshën e viteve, trashëgimisë, nga çdo aspekt i dukjes dhe qëndrimit në to.

Ndjesi të ngjashme ka përjetuar edhe ai, por kuptohet, i ka studiuar në detaje. Nuk i ka mbajtur këto ndjesi veç për vete, u ka dhënë zë në telajo.

“Nganjëherë më duket sikur bisedoj dhe i dëgjoj më shumë se na është treguar, më shumë se historia e tyre. Ka shumë mistere, legjenda dhe përjetime që ngacmojnë imagjinatën time’, tregon ai.

Po ashtu fakti që portretet femërore dominojnë ndër punime e ka një simbolikë…të fortë.

“Fuqia që një grua ka, peshën e sakrificës ndër vite e shekuj, gratë janë aq të forta sa të lëvizin botën, të rishkruajnë historinë. Gruaja shqiptare është më e fortë se guri, kjo më frymëzon çdo ditë”, zbulon Markeli.

Ndërkohë, sfondet pas tyre janë të ngjyrosura nga ngjyra të ndezura, të forta po aq sa simbolika që mbart piktura në tërësinë e saj. Sërish një gjetje.

“Sfondet e ndezura i japin më shumë fuqi asaj çfarë dua të përshkruaj me penel mbi telajo. Shpesh këto kontraste e bëjnë edhe pikturën më të fortë. Sigurisht edhe si teknikë më moderne, duke qenë se elementet kryesore në pikturat e mia janë për trashëgiminë kulturore”, specifikon ai.

Hera-herës, veçanërisht ne botën e artit, shumë vepra nuk përqafohen përnjëherë. Ka raste edhe keqkuptohen ose lihen në hije për vite me radhë.

Për veprat e Markelit nuk ka ndodhur aspak diçka e tillë. Përkundrazi, artdashësit i kanë mirëpritur krijimet e tij dhe po ashtu e kanë mbështetur atë për vazhdimësinë e pasionit të tij për pikturën.

“Ndoshta dhe simbolika e fortë, tradicionalja ndërthurur me modernen, kontrastet, monumentet epike, bukuria unike femërore, historitë që pikturat tregojnë, të gjithë elementët bashkë kanë krijuar një impakt direkt tek artdashësit”, sqaron ai.

Për të, këta të fundit kanë qenë të shumtë në numër, shqiptarë dhe të huaj.

“Deri tani kam marr vlerësime maksimale dhe kjo më ka dhënë kurajo të vazhdoj dhe të punoj çdo ditë”, përmbyll ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore