Shqipëria

Kurban Bajrami dhe urimi i krerëve shqiptarë


Falja e Namazit në sheshin "Skënderbej", 20 korrik 2021, Isa Myzyraj

Me rastin e Kurban Bajramit, e cila njihet ndryshe si “Festa e Flijimit”, politika shqiptare dhe krerët qeveritarë uruan të gjithë besimtarët myslimanë.

Të martën e 20 korrikut, me qindra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në sheshin “Skënderbej”.

Presidenti 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta uroi nëpërmjet një mesazhi një nga festat më të shënuara të Islamit.

Ai uroi më të mirat për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton – sipas tij – në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht europiane!

“Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!”, shkruan më tej presidenti Meta.

Sipas Metës, nuk duhet të ndalen përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe “të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë”.

Presidenti citoi një frazë nga Kurani ku thuhet se “tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve) por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj”.

Në përmbyllje, Meta iu drejtua besimtarëve me urimin që Zoti t’ua pranojë adhurimin dhe lutjet.

Kryeministri 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zgjodhi një video-mesazh me pamjet nga xhamia e restauruar e Et’hem Beut.

Ai uroi “Gëzuar Bajramin”, të gjithë besimtarëve myslimanë.

Kujtojmë që restaurimi i xhamisë zgjati dy vjet dhe u përurua më 13 prill të 2021.

Xhamia ikonike e Et’hem Beut në zemër të Tiranës konsiderohet si një xhevahirët e trashëgimisë sonë kulturore.

Në këtë xhami u përdorën teknikat e fundit të restaurimit, e cila tashmë ka në muret e saj dhe kubenë të gjitha afresket origjinale nga koha e ndërtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore