Lajme

Kuleba: Lavrov po gënjen, përhap “fake news” për armët bërthamore në Ukrainë


“Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, po shpërndan lajme të rreme, sikur Ukraina po përpiqet të rikthejë arsenalin e saj bërthamor”.

Nëpërmjet një postimi të fundit në Twitter, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka akuzuar drejtpërdrejt homologun e tij rus, Sergey Lavrov, se po përpiqet të përhapë lajme të rreme në media, sikur Kievi po sheh mundësinë e rikthimit të arsenalit bërthamor në territorin e tyre.

“Kjo është cinike. Është një gënjeshtër flagrante nga ana e Rusisë, e cila tashmë ka filluar bombardimet në centralet bërthamore të Ukrainës”, shkruan Kuleba.

Ndër të tjera, duke parë sulmin e fundit në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia-s, kryediplomati ukrainas ka gjetur mundësinë të formulojë edhe një kërkesë të radhës për Perëndimin.

“Zona të sigurta duhet të vendosen në Evropë përreth centraleve bërthamore, për të parandaluar katastrofën në gjithë Evropën”.

Nga të dhënat e deri tanishme, prej sulmit rus në Zaporizhzhia, nuk ka dëme në termocentral. Gjithsesi, rreziku mbetet i lartë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se nëse do të ishte dëmtuar ndonjë nga reaktorët, pasojat do të ishin gjashtë herë më shkatërruese se sa ato të shpërthimit të ndodhur në Çernobil në vitin 1986.

Shqetësime mbi aktin e dhunshëm të Rusisë, e cila ka marrë tashmë kontrollin e Zaporizhzhia-s, kanë ardhur edhe nga ana e Perëndimit.

Por, pavarësisht këtij fakti, aleatët e NATO-s e kanë theksuar se ndërhyrje ushtarake, nuk do të ketë, pasi kjo mund të provokonte një luftë edhe më të madhe për kontinentin evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore