Sport

Kukësi me trajner të ri


Klubi i Kukësit ka bërë zyrtar emrin e trajnerit të ri. Mirel Josa do të drejtoj verilindorët për një vit e gjysëm. Josa është pesë herë fitues i Superiores. Katër herë me Skënderbeun dhe një herë me Tiranën.

57-vjeçari ka një CV të pasur në futbollin shqiptarë. Ka drejtuar ekipe si Elbasani, Tirana, Skënderbeu, Teuta, Vllaznia dhe Shkumbini. Ekipi i fundit që ka qenë nën urdhërat e Josës ishte Prishtina. Klub të cilin e drejtoi nga 2017 deri në 2019.

Për Josën si trajner janë 355 ndeshje, ku ka arritur 192 fitore, 74 barazime dhe 89 humbje. Gola të shënuar nga ekipet që ka drejtuar janë 561, kundrejt 321 golave të pësuar. Në total ka arritur të grumbulloj 650 pikë, me një mesatare rreth 1.83 pikë për ndeshje.

Rrahman Hallaçi që deri më tani mbajti postin e trajnerit, do të jetë ndihmësi i Josës. Gjithashtu ish-kapiteni do të drejtoj dhe Kukësin U21.

Në komunikatën zyrtare të klubit të Kukësit në mediat sociale shkruhet:

“Futboll Klub Kukësi njofton se Mirel Josa është trajneri i ri i skuadrës sonë. Tekniku kryeqytetas ka arritur sot marrëveshjen për 1 vit e gjysmë dhe menjëherë do të marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa prezantimi i tij para mediave do të bëhet ditën e mërkurë”.

“Pas një mbledhje të stafit drejtues dhe stafit teknik, u vendos që Josa të merrte drejtimin e skuadrës, ndërkohë që Rraman Hallaçi do të jetë ndihmës i tij dhe njëkohësisht do të drejtojë Kukësin U21”.

“Josa është një trajner që e njeh mirë kampionatin shqiptar, duke drejtuar disa skuadra të ndryshme dhe duke fituar trofe. Klubi i Kukësit i uron suksese trajnerit Josa në krye të stolit kuksian”./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore