Lajme

Kufijtë e Malit të Zi me fqinjët tash e tutje do sigurohen nga FRONTEX


FRONTEX

Kufiri i Malit të Zi me fqinjët e tij – Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën – do të sigurohet nga oficerët e Agjencisë së Bashkimit Evropian për ruajtjen e kufirit dhe bregdetit – FRONTEX , së bashku me policinë dhe ushtrinë malazeze.

Ekipet për negocim të Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje, sipas së cilës FRONTEX-i do të zgjerojë juridiksionin e saj në gjithë vijën kufitare e me vendet fiqnje në koordinim me autoritetet malazeze.

“FRONTEX do të jetë në të gjithë kufijtë e Malit të Zi me shtetet fqinje dhe jo si më parë vetëm në kufirin me Kroacinë, e cila është shtet i Bashkimit Evropian”, tha të enjten ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Fillip Axhiç, transmeton “Radio Evropia e Lirë”.

Në Malin e Zi, përgjatë vitit 2022, siç transmeton REL-i, është evidentuar një rritje e fluksit prej më shumë se 8 mijë e 500 migrantësh – nga Lindja e Mesme dhe zonat e konflikteve – që është 150 për qind më shumë se në vitin paraprak.

FRONTEX-i, në përgjithësi, siguron pjesë të kufijve ndërmjet vendeve kandidate dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Deri më tani kjo agjenci siguronte vetëm kufirin malazez me Kroacinë, ndërsa pas marrëveshjes së arritur, ai do të sigurojë gjithë vijën administrative.

Ndihma e FRONTEX-it në menaxhimin e kufirit të Malit të Zi nënkupton zbatimin e operacioneve të përbashkëta dhe mbi të gjitha synon zgjidhjen e problemit të migracionit të paligjshëm, reagimin ndaj ndryshimeve në flukset e migrantëve dhe ndaj krimit ndërkufitar.

Gjithashtu, kur bëhet fjalë për privilegjet, parashikohet që të gjitha objektet e FRONTEX-it të përjashtohen nga kontrollet, pasuria e tyre është e paprekshme, përjashtohen nga detyrimet doganore, taksat, si dhe kufizimet në import dhe eksport të artikujve të destinuar për përdorim zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore