Lajme

Kuçi: Në një botë normale Vitia nuk do të dilte nga shtëpia


Zëdhënsja e Partisë Social Demokrate (PSD), Natyra Kuçi.

Zëdhënsja e Partisë Social Demokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka thënë se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, në një botë normale nuk do të dilte nga shtëpia.

“Në një botë normale Arben Vitia nuk do të dilte nga shtëpia”, ka shkruar Kuçi në Facebook.

Sipas saj, ish ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, është përgjegjës direkt i numrit të madh të vdekjeve për shkak të keqmenaxhimit me pandeminë COVID-19.

“Nuk do të qeshte edhe nëse do të kishte vetëm një mëkat, atë të njerëzve të shumtë që humben jetën për shkak te dështimit të tij, paaftësisë së tij me menaxhimin e pandemisë”, është shprehur tutje Kuçi.

Ky reagim i saj vjen pas një video të bërë virale së fundmi në rrjetet sociale, në të cilën kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, ka ironizuar me planin e kundër kandidatit të tij, Përparim Rama.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, dhe kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia

Kjo e ka bërë që të reagoj edhe kandidatin për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, i cili e ka ftuar kandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, që të bëj garë me plane konkrete, e jo “me kopje të plogështa”.

“E ftoj atë të bëjë garë më plane konkrete dhe projekte serioze e jo me kopje të plogështa e me hajgare”, u shpreh Rama.

Vitia në këtë video material, e ka shpalosur planin e tij për qendrën duke u tallur me idenë e kundër kandidatit, Përparim Rama për rrënim të Stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Na duhet shumë hapësirë për parkun, prandaj do ta rrënojmë Pallatin e Rinisë, do ta rrënojmë stadiumin. Natyrisht se nuk do i rrënojmë, natyrisht se këto janë monumente shumë të rëndësishme të historisë sonë që ne do i mirëmbajmë”, është shprehur Vitia.

Kjo shaka erdhi pas deklarimeve të kandidatit Rama se do bëjë një liqe artificial te stadiumi i qytetit “Fadil Vokrri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore