Zgjedhjet në Shqipëri

Kryeministri Rama: Mandati i tretë duhet për të sjellë universitete të huaja në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka organizuar një takim me të rinjtë e Partisë Socialiste (PS) në qytetin e Burrelit.

Kryeministri foli edhe për sistemin arsimor dhe reformën e bërë ku tha se sot, një fëmijë nga çdo cep i Shqipërisë që shkon në shkollë, ka librat e Oksfordit dhe Kembrixhit dhe jo të “kopjacëve politik”.

Kryeministri tha se ka disa vite që meritokracia është rritur në Shqipëri sepse sistemi është i digjitalizuar dhe transparent.

Mandati i tretë, shtoi kryeministri, do të jetë për të integruar universitet tona me ato të huaja dhe për t’i sjellë këto universitete në Shqipëri.

Kjo gjë, sipas Ramës, do të thotë se diploma e studentit do të jetë njësoj e vlefshme me ato të universiteteve jashtë sepse do të jenë po ato programe dhe po ato universitete edhe në vendin tonë.

Kryeministri dha leksion edhe për politikën. Ai tha se politika e bërë në Shqipëri, po ia del të shpëtojë vendin nga kriza e pandemisë, ndërkohë që ka shumë vende të fuqishme që gjenden në situatë të vështirë.

“Pa politikën kurrë gratë nënat nuk do kishin pasur mundësinë që të kishin të drejta të barabarta me burrat, nuk do kishte lindur sistemi i mbështetjes sociale, nuk do ishin krijuar as SHBA, as BE. Pa politikën, Shqipëria nuk do ishte sot duke kryer vaksinimin masiv”.

Rama premtoi që do të ribëhet rruga Rrëshen-Burrel, e cila u bë nga qeveria paraardhëse, por brenda 6 muajsh u prish.

Kryeministri tha se ne nuk premtojnë “lekë, lekë, lekë” siç po premtojnë ata qe duan të vijnë në pushtet, por po premtojmë “punë, punë, punë”.

Përderisa Tirana tani është 40 minuta larg, do t’i japim 5 mijë euro çdo kujt që do të investojë tek shtëpia e të parëve të tij për të hapur bujtina.

Gjithashtu, shtoi kryeministri, do të krijohet edhe një amnisti për ato që nuk i kanë patur lekët të ruajtura nëpër banka. Mjafton, vijoj më tej ai, të mos kenë qenë para të pista.

Po të investohet në agro-turizëm, tha kryeministri, ekziston më shumë mundësia për të fituar më shumë sesa punët që mund të bëjë jashtë shtetit.

“Ne do i japim 5 mijë euro çdo djali, çdo vajze, çdo burri dhe gruaje që janë në emigracion dhe që duan të hapin shtëpinë e vjetër të gjyshit, të babës, për ta kthyer në një bujtinë, për të fituar çdo muaj më shumë se sa fitojnë me punë për dikë tjetër atje në emigracion. Do i bëjmë një amnisti fiskale direkte për kursimet e tyre, pa i kërkuar llogari se nëse i kanë mbajtur në bankë apo poshtë jastëkut, mjafton mos jenë para krimi dhe të hidhen këtu. Italia rurale është e tëra e mbushur me iniciativat e njerëzve të zakonshëm që e kanë kthyer tokë, shtëpinë e tyre në burim të ardhurash të vazhdueshme dhe kjo është e mundur”.

Për rininë, tha Rama, do të krijojmë qendra teknologjike ku të rinjtë mund të mësojnë programimin apo projekte të tjera, të cilat sjellin më shumë fitime sesa puna në shtet apo në privat. Gjithashtu, tha Rama, edhe Dibra do ta ketë qendrën e saj teknologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore