Lajme

Kryeministri Kurti zotohet për rregullimin e legjislacionit që të mos ketë më viktima të dhunës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjatë ditës së martë në varrezat e qytetit të Ferizajt i është dhënë lamtumira e fundit M.O., e cila dyshohet se është vra nga bashkëjetuesi i saj Dardan Krivaqa.

Të pranishëm në varrimin e të ndjerës kanë qenë një numër madh i qytetarëve si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të që gjithë “ne kemi shumë pikëllim, kemi shumë zemërim, jeta një vajze të re 18 vjeçare është këputur nga një vrasje mizore”.

“Tani është arrestuar por dhe tani duhet të ketë gjykim të drejtë dhe dënim të  merituar”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se u vra nga një recidevist dhe ka bërë të ditur se qeveria që e udhëheqë ka shumë punë për të bërë në sistemin e drejtësisë.

“Bëhet fjalë për një të dyshuar që ka precedent penal edhe në vitet e mëhershme në veprat e shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa dhe të gjykojë drejt, e të gjykojë kriminelët e keqbërësit në përgjegjësi”.

“Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastrukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë gati ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje”, thotë Kurti.

Kurti është zotuar se do ta rregullojnë sistemin që mos të ndodhin më vrasje të tilla.

“Të pikëlluar e të mërzitur nuk mund ta asnjëherë nga ne ta kthejmë kohën mbrapsht e ta zgjojmë Marigonën, duhet t’i mbajmë kujtimet më të mira, të angazhohem të gjithë bashkë familja, shoqëria dhe institucionet  që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë. Ngushëllime të gjithë popullit tonë. U preht e qetë Marigona, e për tu prerë me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të e gjitha viktimat tjera”, tha tutje Kurti.

Pas ceremonisë së varrimit në emër të familjes së 18 vjeçares së vrarë M.O., që u vra në Ferizaj, ka folur një familjar i saj, duke i falënderuar pjesëmarrësit për ngushëllime.

Ai ka thënë se beson se organet e drejtësisë, duke shtuar se ngushëllimet e shumta ua kanë lehtësuar dhimbjen.

“Besoj se organet e Kosovës do ta çojnë drejtësinë deri në fund, uroj që të jetë rasti i fundit dhe fjala përfundimtare të jetë stop sepse të rinjtë kanë nevojë për me  gëzu lirinë, drejtësinë, kanë nevojë për me gëzu lumturinë”, ka thënë ai.

“Bashkë na keni lehtësu dhimbjen shumë të madhe, që na tronditi jo vetëm familjen por tërë botën shqiptare. Jemi shumë falënderues për gjithë këtë pjesëmarrje”, tha familjari i viktimës.

Për rastin ka folur sërish edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas ceremonisë së varrimit të 18 vjeçares M.O.

Haxhiu ka thënë se pas këtij rasti kanë kuptuar edhe një skandal tjetër të sistemit të drejtësisë.

“Krahas dhimbjes së madhe që kishim me vrasjen makabre të Marigonës, ne kuptuam edhe një skandal tjetër nga institucionet e drejtësisë ku personi i dyshuar kryesor përveç precedentit penal, rasteve të shumta që kishte të hapura dhe kishte pasur që nga viti 2013-të, një aktakuzë për tentim vrasje prej asaj kohe deri më tani nuk është nxjerr aktgjykim dënues ndaj këtij personi”, tha Haxhiu para mediave.

Ajo është zotuar se pas rastit të fundit të vrasjes së M.O., duhet reflektim i institucioneve të drejtësisë.

“Pa dyshim që kjo flet për mos funksionalitetit të sistemit të drejtësisë dhe krejt kjo si pasojë po kemi raste të tilla, ku po humbim jetë vajzash e grash dhe pa dyshim që kjo situatë duhet të thërras në reflektim të institucioneve të drejtësisë në mënyrë që të mos i neglizhojnë rastet e tilla, dhe të veprojmë karshi këtyre rasteve”.

“Çfarëdo kritikë i imja drejtim këtyre institucioneve të drejtësisë është konsideruar i ndërhyrje në drejtësi. Unë konsideroj se si ministre e drejtësisë kam për obligim dhe kam të drejtë kushtetuese që të thërrasë se secili institucion të i kryej detyrat sepse gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës paguhen me parat e taksa paguesve tanë. Prandaj edhe kanë obligim që të veprojnë në përputhje me kompetencat që kanë.

Haxhiu ka bërë të ditur se dhuna në familje është përgjegjësi institucionale.

“Dhuna ne familje duhet të kuptohet si diçka që përgjegjësi institucionale dhe nuk është çështje private dhe nuk mundet të neglizhohet rastet në dhunës në familje ata duhet të veprojnë dhe nuk duhet të paragjykojnë.

“Prandaj thërras se secili person që nuk ka bërë punën siç duhet në këtë drejtim të marrë dënimin e merituar”.

Ndërsa sot është arrestuar edhe personi tjetër i dyshuar për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, që ishte fshehur që nga dje nga forcat e Policisë.

Vrasja e 18 vjeçares ka shkaktuar shumë pakënaqësi për sistemin e drejtësisë dhe për punën e Policisë, e që sot është mbajtur edhe një protestë nga Rrjeti i Grave, ku Policia e Kosovës është gjuajtur me ngjyrë të kuqe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore