Lajme

Kryeministri i Kroacisë: Do ta mbështesim Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare


Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka mirëpritur miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Plenkoviç, përmes një postimi në platformën X, ku tha se shteti që ai drejton do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në gjitha organizatat ndërkombëtare.

“E mirëpres vendimin e sotëm të Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të rekomanduar që Kosova t’i bashkohet KiE-së! Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, shkroi kryeministri kroat.

Miratimi i raportit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, ka bërë të ditur se është miratuar në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës raporti i raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Kosova kalon suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE. Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sipas Ahmetit, ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.

“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, theksoi ai.

Zëvendësministri i MPJ-së ka njoftuar se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që, sipas tij, tregon se Kosova “duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5”.

Miratimi i këtij raporti, i hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit.

Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti.

Teksti i opinionit dhe suksesi i sotëm, sipas Ahmetit, “janë rezultate të një pune të pandalshme të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtar”.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit”, theksoi ai ndër të tjera.

Pas miratimit të raportit të Bakoyannis-it, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se do të vazhdojnë që të punojnë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët të kenë aksesin e tyre të ligjshëm në instrumentet e KiE përmes anëtarësimit të plotë në KiE.

Ndryshe, në raportin 26 faqesh të Bakoyannis nënvizohej fakti se Asambleja Parlamentare e KiE-së pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Themelimi i Asociacionit, sipas raportit të Bakoyannis, duhet të jetë i dukshëm në rast se Kosova kërkon anëtarësimin e plotë në KiE.

“Asambleja Parlamentare pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja Parlamentare konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në pikën e 11-të të raportit të zyrtares greke.

Raporti gjithashtu i rekomandon Këshillit të Ministrave t’i ndajë Kosovës 3 vende në Asamblenë Parlamentare.

Miratohet raporti i Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore