Sport

Kroacia arrin në finalen e Nations League


Kombëtarja e Kroacisë është skuadra e parë që arrin finalen e Ligës A në Nations League. Ata mundën 4-2 me përmbysje Holandën pas 120 minutave lojë.

Në takimin e zhvilluar në “De Kuipp” të Roterdamit, vendasit e Holandës zhbllokuan rezultatin në minutën e 34 me Donyell Malen.

Mirëpo, gjatë pjesës së dytë kroatët do tregoheshin më të qartë në sulmet e tyre duke shënuar dy herë për të përmbysur rezultatin.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 55 nga Andrej Kramaric. Ndërsa, Mario Pasalic shënoi për 2-1 në minutën e 72.

Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe do të gjenin golin e barazimit në minutën e gjashtë shtesë me anësorin, Noa Lang. Një gol që do e çonte ndeshjen në kohë shtesë.

Në kohën shtesë, Kroacia do të realizonte edhe dy herë të tjera për të prerë biletën për finalen e madhe. Bruno Petkovic shënoi në të 98-ën minutë, ndërsa në të 117 realizoi Luka Modric me 11 metërsh.

Kujtojmë që takimi tjetër gjysmëfinal do të luhet tē enjten në “De Grolsch Veste” midis Spanjës dhe Italisë, duke filluar nga ora 20:45.

Spanja (2021) dhe Holanda (2019) ishin nënkampione në dy edicionet e para ndërsa Italia përfundoi e treta dy vjet më parë. Për Kroacinë, turneu është paraqitja e tyre e parë në finale.

Finalja në Roterdam dhe ndeshja për vendin e tretë në Enschede do të luhen të dyja më 18 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore