Shqipëria

Krerët shtetërore në 74-vjetorin e NATO-s: Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë


Në 74-vjetorin e krijimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), krerët shtetërore kanë shprehur urimet dhe falënderimet e tyre ndaj Aleancës duke përmendur rolin e Shqipërisë si kontribues për paqen dhe sigurinë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se autoritetet shqiptare janë krenarë që janë pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë.

“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë!”, nënvizoi Begaj.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh në 74-vjetorin e NATO-s se Shqipëria shikon me krenari kontributin e Aleancës për sigurinë tonë kolektive.

“Në këtë 74-vjetor të NATO-s, ne shikojmë me krenari kontributin e Aleancës për sigurinë tonë kolektive dhe për promovimin e paqes dhe lirisë në Evropë dhe në botë. Ky përvjetor vjen mes një situate shumë sfiduese sigurie”, thekson fillimisht Xhaçka.

Sipas saj, kjo është edhe një rikujtuesë e rëndësisë së NATO-s dhe i faktit “se së bashku, si anëtarë të aleancës më të madhe ushtarake në histori, ne jemi më të fortë dhe mund të përballemi me çdo dhe të gjitha kërcënimet e sigurisë ndaj vendeve dhe njerëzve tanë”.

Më 4-5 prill kryediplomatja shqiptare do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel.

Prej 14 vjetësh, Shqipëria është pjesë e bashkësisë më të madhe ushtarake në botë, NATO-s.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut është themeluar më 4 prill 1949, në Washington, SHBA dhe është njohur si një ndër hapat më të rëndësishëm të Shqipërisë, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë diplomatik, pasi ngjarja i ka hapur rrugë më pas integrimit të mëtejshëm në familjen evropiane.

Ishte pikërisht 1 prilli i vitit 2009, ai i cili e pa Tiranën zyrtare të anëtarësohej me të drejta të plota, duke u bërë kështu i pari vend i rajonit, që hidhte një hap kaq të madh.

Organizata ka aktualisht 30 vende anëtare, me Finlandën që pritet të bëhet shteti i 31-të, pas ratifikimit të marrëveshjes prej të gjithë parlamenteve anëtare, si edhe me Suedinë në përmbyllje të procesit.

Vendet themeluese janë: SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Italia, Kanadaja, Holanda, Belgjika, Norvegjia, Danimarka, Portugalia, Luksemburgu dhe Islanda.

Sipas traktatit, organizata ndihmon nëse një nga vendet përfshihet në luftë ose gjendet në rrezik.

Anëtarët dhe fuqitë e tyre ushtarake ndërhyjnë në shuarjen e konfliktit.

Një prej rasteve më të vona dhe më domethënëse për shqiptarët, kanë qenë ndërhyrjet përmes bombardimeve në Beograd, të cilat i hapën rrugë më pas pavarësisë së Kosovës.

NATO tregon se sa shpenzon Shqipëria për mbrojtje, vetëm 7 anëtare kapin kuotën 2 %

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore