Shqipëria

NATO tregon se sa shpenzon Shqipëria për mbrojtje, vetëm 7 anëtare kapin kuotën 2 %


As lufta që shpërtheu mes Rusisë dhe Ukrainës nuk arriti që t’i “motivojë” fuqitë e mëdha të Evropës që të arrinin objektivat e tyre në shpenzimet e mbrojtjes.

Të paktën kështu tregon raporti më i fundit i NATO-s i publikuar këtë të martë, për shpenzimet e anëtarëve të aleancës për mbrojtjen.

Dhe në të gjithë aleancën ushtarake, vetëm shtatë nga 30 anëtarë shpenzuan të paktën 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtje vitin e kaluar.

Greqia, Polonia, shtetet baltike, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzuan më shumë se 2 për qind.

Vetë Shqipëria ka shpenzuar 1.57 të PBB-së së saj për mbrojtjen, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2015, ku ishte afërsisht 1.35 për qind.

Vitin e kaluar, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka pretenduar se Shqipëria do të kapë shifrën 1.75%.

Por, kryeministri i vendit, Edi Rama, shpesh ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të buxhetit, duke marrë në konsideratë dhe situatën e krijuar me inflacionin nga lufta.

Shifrat – të gjitha vlerësimet e NATO-s për vitin 2022 – tregojnë se ndërsa aleatët kanë derdhur dukshëm më shumë para në ushtritë e tyre për vite me radhë, shumë prej tyre ende mbeten kryesisht prapa objektivit të shpenzimeve, të vendosur në 2014.

Veç kuotës që Shqipëria e ka të detyrueshme për të kontribuar në buxhetin ushtarak të NATO-s, ajo ka për detyrim të forcojë mbrojtjen e sigurisë së brendshme, duke investuar për qëllime ushtarake, të modernizimit të ushtrisë me armë e logjistikë bashkëkohore.

Në raport tregohet se vendi jonë ka arritur objektivin e vendosur për shpenzimet e pajisjeve të mbrojtjes.

Kështu, shpenzimet e Shqipërisë ndahen në 46.6 % në personel dhe 22.0 % në operacione dhe  mirëmbajtjen e shpenzimet e tjera.

Sa i takon infrastrukturës, ajo zë vetëm 11.4 % të buxhetit total të harxhuar, dhe 20 % tjetër shkon për mjetet e tonazhit të rëndë.

Duke lënë pas “termat financiare”, Shqipëria vijon të mbetet shumë “dobët” kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në Organizatat e Shkencës dhe Teknologjisë, që janë një program bashkëpunues i aktiviteteve të punës në vitin 2022.

Gati 0.2 % është shifra e arritur.

Krahas raportit NATO sot publikoi edhe një sondazh, të cilin në Shqipëri e kishte zhvilluar me anë të bisedës telefonike.

Qytetarët shqiptarë ishin pyetur nëse mendojnë se shpenzimet e mbrojtjes duhet të mbahen në nivelet aktuale.

Shumica prej tyre, konkretisht 85 për qind ishin të mendimit se duhet të mbeten aq sa janë dhe vetëm 12 % mendonin se duhet të shpenzohet më pak.

Edhe shumica e shtetasve aleatë – 74% – mendonin se shpenzimet duhet të ishin aq sa janë.

Ndërkohë, shumica e shtetasve shqiptarë do të votonin që vendi i tyre të mbetej një anëtar i NATO-s nëse do të mbahej një referendum konkretisht me 85 për qind.

Situata në Ukrainë duket se ka rritur ndjeshëm edhe mbështetjen e qytetarëve evropianë, të cilët do të votonin pro anëtarësimit më 70% krahasuar me 62 % e vitit 2021.

92 % e të anketuarve shqiptarë ishin dakord se marrëveshja për anëtarësimin në NATO e bën sulmin e vendeve të huaja më pak të mundshëm.

Në përgjithësi 61 % ishin pro, me vetëm 13% nuk janë dakord me deklaratën.

Survejimi tregoi gjithashtu se qytetarët shqiptarë kishin mendimin më pozitiv për aleancën krahasur me të gjithë të tjerët.

Të parët ishim edhe kur bëhej fjalë për vazhdimin e mbështetjen dhënë ndaj Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore