Lajme

Krasniqi viziton Haradinajn: Uroj që edhe beteja e fundit e bashkëluftëtarëve të tjerë të përfundojë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Nasim Haradinaj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi të premten ka vizituar ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetarin e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili është liruar të enjten nga Gjykata Speciale.

Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, i ka uruar mirëseardhje Haradinajt.

“U ul në odë mes burrave, kapi çiftelinë dhe ia tha këngës. Kjo ishte gjëja e parë që Nasimi bëri dje pasi u kthye nga Haga. Natyrisht, jo nga gëzimi për vetveten, por nga malli që shokët i mbetën mbrapa – sepse vaji i burrit është kënga”.

“Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë e vizituam në Gllogjan dhe i uruam lirimin e kthimin pranë familjes e shoqërisë”.

Teksa ka shprehur dëshirën që të i vije fundi edhe betejës së ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Uroj që edhe beteja e fundit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre të përfundojë sa më parë e t’i kemi edhe ata përsëri në mesin tonë”, ka shkruar Krasniqi.

Më 14 dhjetor, është liruar nga burgu ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.

Kur u arrestua Nasim Haradinaj?

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Më 18 maj të 2022-ës, Albanian Post kishte realizuar një intervistë me bashkëshortën e Nasim Haradinaj e cila vendimin e marrë nga Specialja e kishte konsideruar si tejet të rëndë, por më të rënda i kishte vlerësuar fjalët që ishin thënë në seancë.

Vendimi për dënimin e Gucatit e Haradinajt kishte qenë vendimi i parë i ndërmarrë nga Specialja prejse është themeluar para gjashtë vjetësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore