Gjykata Speciale

Lirohet Nasim Haradinaj


Nasim Haradinaj.

Është liruar nga burgu ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.

Në vendimin e Speciales thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që i është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur për lirimin e Haradinajt.

“Për marrjen e vendimit, kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti  me z. Haradinaj”.

“Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit”.

Sipas Speciales, Haradinaj ka “reflektuar” për veprimet e tij gjatë kohës sa ndodhej në paraburgim.

Arrestimi i Nasim Haradinaj më 25 shtator të 2022-ës.

“Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij”.

“Konkretisht, kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, kryetarja mori parasysh pendesën e z.Haradinaj”.

Ndërsa, nga Specialja është thënë se ai është zotuar që t’i përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara.

“Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thuhet në njoftim.

Lajmin e ka bërë të ditur po ashtu ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

“Pas një hidhërimi në rastin e Calit, vjen një lajm gëzimi. Sapo mbërriu në Gjakovë shoku Nasim Haradinaj”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Më 17 tetor Haradinaj s’ishte liruar me kusht nga burgu në Hagë, ashtu siç u morë vendim për ish-kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucati.

Kjo pasi ishte thënë se vendimi do të merret pasi të shqyrtohet raporti në lidhje me sjelljen e tij gjatë mbajtjes në objektin e paraburgimit.

Kur u arrestua Nasim Haradinaj?

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Më 18 maj të 2022-ës, Albanian Post kishte realizuar një intervistë me bashkëshortën e Nasim Haradinaj e cila vendimin e marrë nga Specialja e kishte konsideruar si tejet të rëndë, por më të rënda i kishte vlerësuar fjalët që ishin thënë në seancë.

Vendimi për dënimin e Gucatit e Haradinajt kishte qenë vendimi i parë i ndërmarrë nga Specialja prejse është themeluar para gjashtë vjetësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore