Lajme

Krasniqi refuzon ftesën e Kurtit për takim


Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Arsyeja e refuzimit të kësaj ftesë nga lideri i PDK-së vjen pasi ai konsideron se nuk ka një situatë emergjente.

“Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat”.

Krasniqi këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i njëjtë dhe konsistent, në mbështetje të Dialogut, të fokusuar në arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka shkruar ai.

Ai është shprehur se sa i përket dialogut PDK i ka jepur hapësirë të mjaftueshme Qeverisë.

“Në procesin e Dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore”.

“Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”.

Krasniqi, ka treguar gatishmëri për takimet e ardhshme por vetëm atëherë kur të ketë avancim në këtë drejtim.

“Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”.

Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pranuar që të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për të folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse e ka vlerësuar ftesën nga kryeqeveritari “si të vonshme”.

Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka pranuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi ky i fundit i bëri ftesë për ta informuar për procesin e dialogut me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore