Lajme

Krasniqi për 113 vjetorin e Kongresit të Manastirit – “Kthesë vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve”


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një shkrimi në Facebook ka uruar Ditën e Alfabetit Shqip, me rastin e 113 vjetorit që nga përfundimi i Kongresit të Manastirit.

“Nga 14 nëntor deri me 22 nëntor të vitit 1908, elita patriotike, intelektuale dhe atdhetare e kombit do të mblidhej në qytetin e Manastirit, për të ndërtuar një kohezion kombëtar rreth të shkruarit të gjuhës shqipe, duke unifikuar alfabetin shqip”, shkroi Krasniqi.

“Kongresi i Manastirit, rrjedhimisht, është ngjarje me karakter kombëtar të jashtëzakonshëm dhe një kthesë vendimtare e përcaktuese për të ardhmen e shqiptarëve në rangun e qytetërimit perëndimor”.

Krasniqi tha se në rastin e Ditës së Alfabetit, me nderim kujtohen të gjithë intelektualët dhe atdhetarët që arritën të tejkalojnë barrierat e kohës, dhe u bashkuan për gjuhën shqipe të shkruar.

Kongresi i Manastirit, 1908

“Përkundër të gjitha pengesave dhe rrethanave të kohës, ata u mbajtën të bashkuar për të vendosur një mjet vendimtar në çlirimin e vetëdijes kombëtare, e cila vetëdije do të kulmonte edhe me çlirimin politik të kombit tonë”, shkroi Kryetari i PDK-së.

Projekti kombëtar për çlirim, thekson Krasniqi, është rezultat i gjuhës shqipe, e cila, “na ka mbajtur të ashkuar për shekuj”.

“Çlirimi i ndërgjegjes sonë politike me shkrimin, leximin dhe artikulimin e vetëdijes, ka qenë parakusht për çlirimin politik, i cili ndonëse padrejtësisht tepër vonë, në Kosovë ka ndodhur vetëm një herë dhe atë në qershor të vitit 1999, pas luftës së lavdishme e të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë”, përfundoi Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore