Lajme

KQZ: Vetëm Zubin Potoku deri tani ka dorëzuar peticionin për shkarkimin e kryetarit


Vetëm komuna e Zubin Potokut, deri tani ka dorëzuar nënshkrimet e mbledhura nga peticionet për shkarkimin e kryetarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’ua konfirmoj se deri më tani kemi pranuar kërkesën me nënshkrime të mbledhura për verifikim nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejt vote në komunën përkatëse”, ka thënë Elezi për Albanian Post.

Më 22 janar, nënshkrimi i peticioneve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në Veri të Kosovës, ka përfunduar.

Darko Vuksanoviç, për Radio Evropën e Lirë kishte thënë se janë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme.

Sërgjan Vuçiniç, njëri nga iniciatorët në Mitrovicën e Veriut, ka thënë po ashtu se procesi i nënshkrimeve ka përfunduar.

Nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptar në Mitrovicën e Veriut.

Të shtunën, më 20 janar, janë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme edhe në komunën e Leposaviqit.

Më 19 janar, në Mitrovicën e Veriut, janë mbledhur edhe nënshkrimet e nevojshme të peticionit për të shkarkuar kryetarin e komunës nga radhët e komunitetit shqiptar, Erden Atiq.

Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tre ditë kohë për t’ia përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh.

Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetarët shqiptar u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit 2023, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

BE-ja kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore