Lajme

KQZ pranon 137 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora për Dragashin


Fletëvotim/Ilustrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për përsëritjen e votimit në komunën e Dragashit ka pranuar 137 pako të supozuara me fletëvotime me postë nga votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj i cili tha se kanë zhvilluar të gjitha aktivitetet për informim të të gjithë votuesve me të drejtë vote.

“Sekretariati është në përgatitje për përsëritjen e raundit të dytë në komunën e Dragashit për procesin e votimit jashtë vendit periudhë që ka filluar nga data 29 nëntor deri më 13 dhjetor 2021, dhe ka zhvilluar të gjitha aktivitet për informim të të gjithë votueseve me të drejtë vote”.

“Deri më tani 6 dhjetor Sekretariati ka pranuar 137 pako të supozuara me fletëvotime përmes postës”, ka thënë Ahmetaj gjatë mbledhjes së KQZ.

Burim Ahmetaj KQZ.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi ka ngriur shqetësim rrjedhjen e listën me numrat e telefonave të personave të regjistruar për votim nga jashtë.

“Lista e personave të regjistruar bashkë me numrat e telefoni e cila është nxjerrë nga KQZ dhe e posedojnë persona privat dhe kanë kontaktuar njerëzit në telefon e di se së paku neve na është thënë se nuk kemi të drejtë për ta pasur”, deklaroi Dushi.

Ai tha se gjatë diskutimit për këtë listë i është thënë se mund të kenë vetëm sa i përket emrave dhe mbiemrave.

“Kur kemi fol për këtë listë na është thënë se këtë pjesë të listës mund të kenë vetëm sa i përket emrave dhe mbiemrave dhe jo numrave të telefonit dhe atyre personal ndërsa ajo listë bashkë me emrat qarkullon dhe unë e posedoj, ma kanë dërguar ndërkohë dhe është mirë me ditë se si ka rrjedh kjo jashtë”.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha ase nuk ka pasur dijeni për këtë informacion.

“Nuk jam në dijeni për një informacion të tillë, por do të shikojmë dhe do të hetojmë se si ka mundur të rrjedh që persona të paautorizuar të posedojnë listën me të dhëna me numër personal dhe numra të telefonit ku ajo përdoret vetëm për qëllime të administrimit të procesit dhe asgjë tjetër”.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është miratuar edhe zëvendësimi i anëtarëve të kuvendeve komunale në Lipjan, Suharekë, Graçanicë, Ferizaj, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Partesh dhe Pejë.

Po ashtu KQZ me shtatë vota për dhe një abstenim ka miratuar edhe Raportin Financiar për periudhën e përfunduar më 30 shtator 2021.

Me shtatë vota për dhe një abstenim është votuar edhe Raportit i shpenzimit të derivateve për veturat në periudhën janar-shtator 2021. Për këto të dy raporte ka abstenuar në votim anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama.

Ndëkaq, me 8 vota për është miratuar buxheti për Punëtorinë “Mësimet e nxëna për zgjedhjet e lokale 2021” si dhe Projekti dhe agjenda po për këtë punëtori.

Më 25 nëntor, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Albanian Post se e kanë pranuar vendimin e Gjykatës Supreme për rivotim të diasporës nga Dragashi.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore