Lajme

KQZ pranon vendimin e Supremes për rivotim të diasporës nga Dragashi


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Albanian Post se e kanë pranuar vendimin e Gjykatës Supreme për rivotim të diasporës nga Dragashi.

“E konfirmoj se gjatë ditës kemi pranuar vendimin e Gjykatës Supreme, përmes së cilit urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përsëritjen e raundit të dytë të votimit jashtë Kosovës që i takon Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit”, tha Elezi.

“Me qëllim të zbatimit të këtij vendimi, gjatë ditës së sotme (e enjte, 25 nëntor, ora 16:00) KQZ-ja do të mbajë mbledhje. Lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, do të njoftoheni në këtë mbledhje”, ka shtuar ai.

Gjykata Supreme vendos për rivotim të diasporës nga Dragashi

Supremja ka marrë vendim që përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.

Kështu është bërë e ditur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Shaban Shabani, kandidat i PDK-së për kryetar të Dragashit

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo ishte bërë e ditur pas përfundimit të numërimit të votave me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore