Zgjedhjet në Kosovë

KQZ-ja ka aprovuar mbi 9 mijë pako me fletëvotime nga diaspora


Fletëvotimet/ilustrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të shtunën ka bërë të ditur se ka aprovuar 9 mijë e 610 pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë, ndërsa ka refuzuar 1 mijë e 324 nga gjithsej 10 mijë e 934 fletëvotime të pranuara.

Shefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se numërimi i votave me postë do të fillojë në ditët e ardhshme.

“Janë 10,934 zarfe me fletëvotime të ardhura përmes postës, numri i pakove të aprovuara është 9,610, ndërkaq i atyre të refuzuara është 1,324. Në ditët në vijim do të fillojë procesi i numërimit të votave me postë”, ka thënë Ahmetaj gjatë mbledhjes së KQZ-së.

Ndërsa, ka shtuar se gjatë ditës së shtunë do të fillojë procesi i verifikimit apo krahasimit të rezultateve të shënuara në formularë me rezultatet e kandidatëve.

“Sa i përket vendimit të KQZ-së për rinumërimin e vendvotimit në Fushë-Kosovë, sekretariati fillimisht ka bërë hetim paraprak pastaj ka bërë rinumërimin e këtij vendvotimi. Sipas vendimit të KQZ-së, ekipi i hetimit në QNR ka analizuar fletëvotimet, së pari ka analizuar vlefshmërinë e tyre”.

Pakot fletëvotimeve nga vitet e kaluara.

Ahmetaj ka bërë të ditur se janë 225 vendvotime që do të hetohen dhe krahasohen me të dhënat e shënuara në vendvotim.

“Secili fletëvotim përmban të shtypur numrin e vendvotimit që i takon. Nga vlerësimi vërtetohet se fletëvotimet janë të vulosura, përmbajnë vendvotimin e printuar dhe numrat serik i takojnë atij vendvotimi. Kjo tregon se nuk është cenuar votimi në atë vendvotim”.

Të premten, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi të premten ka bërë të ditur se KQZ tashmë ka miratuar planin operaiconal për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve.

Më 21 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vendosur që të dërgoj në rinumërim 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme kryesisht teknike.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) ka filluar të publikojë formularët e rezultateve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe kuvendeve komunale.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë ditës së diel të 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kanë shënuar fitore, ndërsa 21 komuna shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore