Kosovë: Fushata zgjedhore për balotazh do të jetë vetëm pesë ditë
SHFLETO
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Altina Marmullaku
22.10.2021 14:47
Loading Icons...
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi të premten ka bërë të ditur se KQZ tashmë ka miratuar planin operaiconal për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin operacional për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për kryetarë do të jetë pesë ditë. Do të fillojë nga 8 nëntori dhe do të përfundojë më 12 nëntor”, deklaroi Elezi.
Ndërsa, sqaroi se komisionarët, vëzhguesit, OJQ-të e mediat duhet të bëjnë një listë me ata që do të angazhohen për garën e balotazhit. Kjo listë duhet të dërgohet nga 28 tetori dhe më së largu deri më 8 nëntor.
Ai po ashtu, theksoi se për votuesit nga jashtë që janë regjistruar nga 10 korriku deri më 18 gusht, KQZ ka vendosur 15 ditë në dispozicion që që t’i dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës.
Elezi, tha se kjo do të fillojë nga 29 tetori, ndërkaq fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ më së largu deri më 12 nëntor.
Nga 10 mijë e 934 vota të individualizuara nga diaspora, 9 mijë 610 prej tyre janë aprovuar, ndërsa 1 mijë 324 janë refuzuar pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore.
“Shërbimi ka përfunduar vlerësimin dhe verifikimin me 5 mijë pako me vota që kanë ardhur nga 15 shtatori deri më 15 tetor. Brenda këtyre pakove, ka pasur 10.934 të individualizuara me votime, janë aprovuar 9.610 zarfe, 1.324 janë refuzuar pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore”.
Ai tutje ka treguar se janë në fazën përfundimtare të verifikimit të votave të personave me aftësi të kufizuar dhe atyre me kusht.
“Gjatë fundjavës do të fillojë procesi i numërimit të këtyre votave. Votat e personave me aftësi të kufizuar dhe atyre me kusht, janë në fazën përfundimtare të verifikimit”.
Më 14 nëntor në Kosovë do të mbahet procesi i votimit në komunat ku ka balotazh.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të enjten ka vendosur që të dërgoj në rinumërim 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme kryesisht teknike.
Tetë prej tyre janë për zgjedhjet për kryetarë të komunave e 15 tjera për zgjedhjet për kuvende komunale kurse vendvotimet i takojnë komunave të ndryshme.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë ditës së diel të 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kanë shënuar fitore, ndërsa 21 komuna shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.