Zgjedhjet në Kosovë

KQZ/ Elezi: Nuk do të ketë konferencë për rezultatet preliminare


Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk ka mbajtur konferencë për mediat për publikimin e rezultateve preliminare, ndërsa kjo ka qenë konferenca e fundit të cilën e ka mbajtur për zgjedhjet e 17 tetorit të së dielës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se qytetarët mund të informohen përmes faqes zyrtare të KQZ-së .

“Duke iu falënderuar shumë për angazhimin tuaj gjatë ditës së sotme duke raportuar për procesin zgjedhor dhe punën e KQZ-së, dua t’iu njoftoj se sonte nuk do të ketë një konferencë nga anëtarët e KQZ-së lidhur me rezultatet preliminare”.

Elezi shtoi se, “rezultatet preliminare janë duke u shfaqur në aplikacionin e KQZ-së dhe ftojmë mediet që t’i referohen ashtu siç po bëjnë deri më tani. Në këtë aplikacion janë duke u shfaqur rezultatet preliminare të Zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe rezultati i subjekteve politike për Kuvende Komunale”.

Ndërkaq, bëri të ditur se këto janë vetëm rezultate preliminare.

“Rezultatet përfundimtare shpallen nga KQZ pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht; votave me postë; votave të personave me nevoja të veçanta; pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; si dhe pas përfundimit të shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë votuar 43 për qind të qytetarëve me të drejtë vote, një dalje e ngjashme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, kur kishin dalë 43.5 për qind e elektoratit.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 96 për qind e të dhënave të përpunuara, del se 42.85 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.

KQZ-ja ka bërë të ditur se 776 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore