Lajme

KQZ e BeH-së: Milorad Dodik është fitues i zgjedhjeve për president të ‘Republika Srpska’


Lideri nacionalist i serbëve të Bosnjë dhe Hercegovinës nga Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, Milorad Dodik, është (ri) zgjedhur president i ‘Republika Srpska’ në BeH, pas rinumërit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Më 27 tetor, në seancën e 73-të KQZ, me gjashtë vota për dhe një kundër, miratoi raportin mbi rezultatet e ri-numërimit të votave për Presidentin e RS-së. Anëtarja Vanja Bjelica Prutina ishte kundër miratimit të raportit për shkak të mangësive të shumta të raportit”, raporton mediumi boshnjak ‘Oslobodenje’.

KQZ më 10 tetor urdhëroi për të rinumëruar votat për ‘Republikën Srpska’, në nivelin e presidentit dhe atë të nënpresidentit.

Gjashtë anëtarë të Komisionit kishin votuar pro vendimit dhe vetëm një ka qenë kundër.

Sipas rezultateve Dodik, kandidati i partisë në pushtet, kishte fituar 291 mijë e 915 vota.

Kundërshtarja e tij, Jelena Triviç, e cila është mbështetur nga partia e saj, Partia për Progres Demokratik, Partia Demokratike Serbe dhe Lista për Rregull dhe Drejtësi, e Nebojsha Vukanoviç-it, ka fituar 262 mijë e 969 vota.

Një bllok i partive opozitare paraqiti një ankesë se rezultatet e votimit ishin falsifikuar nga udhëheqësi serb.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare u mbajtën në BeH më 2 tetor, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale në RS.

Një natë para zgjedhjeve, Triviç njoftoi fitoren e saj bazuar në numërimin paraprak të votave në një numër qendrash votimi.

Por, të nesërmen në mëngjes doli përpara Dodik, i cili u konfirmua nga KQZ me 98 për qind të votave të numëruara.

Tre partitë opozitare që mbështetën Triviç mbajtën protesta ku morën pjesë mijëra mbështetës dhe kërkuan një rinumërim të votave, duke përmendur parregullsi.

Ndryshe, vlen të përmendet se më gjashtë janar të këtij viti Ministria e Financave e SHBA-së njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Dodik është sundimtar i Republika Srpska, entitetit serb në Bosnje, që u krijua sipas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995.

Ndërsa aktualisht Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën e saj më të rëndë politike që nga vitet 1990, SHBA-të patën njoftuar se Dodik e ka përdorur pozitën e tij për të grumbulluar pasuri përmes një sistemi patronazhi dhe ryshfetesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore