Lajme

KPK konfirmon 5 kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit


Ilustrim

Këtë të premte të 11 marsit, është konfirmuar lista e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, si rrjedhojë e tërheqjes nga gara të prokurorit Arben Ismajli.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një njoftimi për media.

“Ky rikonfirmim i kandidatëve ka dalë si nevojë pas tërheqjes së prokurorit Arben Ismajli nga gara për Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet në njoftim.

KPK-ja i ka ftuar pesë kandidatët e mbetur për intervistim më 18 mars.

Ndërsa kandidatët e rikonfirmuar janë, Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.​

Ndryshe KPK, në takimin e parë të mbajtur më 11 janar të vitit 2022, ka marrë vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo për arsyeje se Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill të vitit 2022.

Mandati i kryeprokurorit të shtetit është 7 vjeçar, pa mundësi riemërimi.

Lumezi pozitën e tij si kryeprokuror e kishte marrë më 21 prill të vitit 2015, pas dekretimit të tij nga ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore