Lajme

Kosovë: Vazhdon konfiskimi i vajit në disa markete


Konfiskimi i vajit në komunën e Rahovecit.

Të premten e 11 marsit në Komunën e Rahovecit janë konfiskuar katër mijë e 676 litra vaj, për shkak të mungesës së origjinës.

Këtë e ka bërë të ditur, drejtoresha e Inspeksionit në Komunën e Rahovecit, Nora Boshnjaku përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera”, ka shkruar Boshnjaku.

Konfiskimi i vajit në komunën e Rahovecit.

Ajo ka sqaruar se pas rritjeve të çmimeve kjo komunë ka inspektuar gjatë gjithë kohës tregun.

“Gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe  inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullësi, poashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba si dhe masa të tjera administrative. Në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekononik (Mega Market) kanë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës”.

Konfiskimi i vajit në komunën e Rahovecit.

Ndërsa, ka apeluar tek qytetarët që të raportojnë parregullsitë gjatë blerjeve.

“Për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, qytetarët luten të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/”.

Më 10 mars, Inspektorati i Tregut ka mbyllur dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë e ku kishte sasi të konsiderueshme të vajit.

“Gjatë aksionit të sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë”, ka njoftuar kjo ministri.

Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një statusi në Facebook ka thënë se me shqetësim ka pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, duke treguar se në nenin 295 të Kodit Penal flitet për keqpërdorim të pozitës së monopolit thuhet se “në pikën 1, parashihet burgim deri në 3 vjet, kurse në pikën 2 deri në 5 vjet”.

“Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal’, ka shkruar Hajdari.

“Ju siguroj se Qeveria Kurti, duke u bazuar në parimet e përgjegjësisë, llogaridhënies, transparencës, barazisë dhe gjithëpërfshirjes, prioritet ka mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Hajdari i ka ftuar të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme, duke u bazuar në konkurrencë të shëndoshë dhe në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe shtetit.

Në anën tjetër, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.

Ndërsa, Albanian Post ka realizuar një video story sa i përket rezervave ushqimore që mund të ketë Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore